Gjakovë, 1898: Në odë luhej çyçek dhe barku nuk pushonte së dridhuri

Kështu më herët në ceremoninë e një synetllëku tek Ali aga në Mëhallën e Epërme në natën e qetë u bë gjymysh i madh me këngë e muhabet. Disa mysafirë ishin vendosur në çardak, disa në dhomë e disa në bahçe. Sofra e begatë, ndërsa çallgitë herë atje e herë këndej; disa luanin për të tjerët e të tjerët luanin për disa. Në odë luhej çyçek dhe barku nuk pushonte së dridhuri, mbështillej rreth belit ndërsa shamparetat tingëllonin pa pushuar. Në çardak një sevdali i binte çiftelisë dhe këndonte këngë heroike për Ali pashë Tepelenën

Dhe pastaj, kur akshami ra, kur të gjithë ishin në gjumë, kur myezini zbriti

nga minarja, kur hëna nisi ta numërojë tufën e rrezeve të saj të arta dhe nata e tejdukshme e mbështolli kasabanë si me jashmak, pastaj… nga ato bahçet prej atje poshtë, nga Mëhalla e Mahmud beut, dëgjohet gërneta, por tani ajo nuk është e vetmuar… pasi ka kohë që një def i përgjigjet asaj prej Mëhallës së Llokaçit. Gërneta luan mallëngjyeshëm. Përgjatë natës zëri i saj përdridhet duke qenë herë i butë, e herë i fuqishëm, herë i ulët sa që fundi i gjoksit lëviz prej vendi dhe duket sikurse që shpirti po ngrihet lart nën retë që t’i përqafojë yjet; të zbukurohet atje me errësirën e natës dhe të ngrohet nën mëshirën e Allahut.

Dhe kur gërneta për një çast pushon atje poshtë në Mëhallën e Mahmut beut, menjëherë ia nis defi në Mëhallën e Llokaçit. Së pari ngadalë, pastaj stuhishëm; stuhishëm si zemra e një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçare; e gjallë, si gjaku i nxehtë i një vajze të re që për herë të parë mbulohet me jashmak.

Gishtat, gishtat e bardhë të vegjël të dorës me thonjtë e ngjyer me kanë godasin imët, butë ndërsa rraketaket bien dhe një goditje e matur bartet nëpër natën e heshtur, nën të cilën fle kasabaja.
Kështu më herët në ceremoninë e një synetllëku tek Ali aga në Mëhallën e Epërme në natën e qetë u bë gjymysh i madh me këngë e muhabet. Disa mysafirë ishin vendosur në çardak, disa në dhomë e disa në bahçe. Sofra e begatë, ndërsa çallgitë herë atje e herë këndej; disa luanin për të tjerët e të tjerët luanin për disa. Në odë luhej çyçek dhe barku nuk pushonte së dridhuri, mbështillej rreth belit ndërsa shamparetat tingëllonin pa pushuar.

Në çardak një sevdali i binte çiftelisë dhe këndonte këngë heroike për Ali pashë Tepelenën, në bahçe tre ciganë bënin sevda duke luajtur e kënduar, ndërsa rreth tyre të janë mbledhur djemtë e rinj, axhami dhe të pamartuar, herë e dëgjojnë këngën dhe herë pas here i shkrepin alltipatllakët, dhe zjarri shihet në errësirë ndërsa plumbat fluturojnë nëpër ajër si zogj të shpejtë duke rënkuar në natën e thellë.

Njëfarë axhamie qëlloi gjashtë herë në ajër dhe më pastaj e nxori nga qesja një alltillëk dhe ia vuri një cigani në ballë.  –
–    Të ma këndosh një këngë të re – iu kërcënua ai.
Për disa çaste cigani u pështoll andej e këndej, sikur mëdyshje, por a guxonte ai që mos t’ia merrte këngës aty ku alltipatllakët e kishin fjalën? Më në fund ai i shtrëngoi telat, duke rrëshqitur me harkun e tij mbi ta dhe defi e ia nisi të luajë butësisht pas tij, ndërsa gërneta shpërtheu me një këngë të re:

I bukur është zambaku, i bukur është trëndafili,
Karanfili dhe borziloku,
Por më e bukura është Zyfija.
Sen s’n ben’m eskiden! (Qysh kah moti e imja je).

Ati i Sali agës është i shpejtë,
i Dautit është i ngadaltë
mezi që mbrrin në Llokaç Mëhallë.
Sen s’n ben’m eskiden!

Ajo shtëpia me pesë penxhere,
Me një kangjelle të prishur.
Në atë kangjelle dy sy shikojnë
Sen s’n ben’m eskiden!

I bukur është zambaku, i bukur është trëndafili,
Karanfili dhe borziloku,
Por më e bukura është Zyfija.
Sen s’n ben’m eskiden!

Dum, dum, dum, dum… gjashtë herë, një alltipatllak, pastaj një tjetër, dhe pastaj gjëmoi edhe një martinë, kështu u dridh nata e errët dhe shumë prej tyre që duhej të ishin në gjumë, tani u zgjuan duke e ngritur kokën me kujdes nga jastëkët për të marrë vesh, athua ka rënë jangia diku apo në kasaba ka krisur ndonjë bela.

 *
Dhe kur një këngë e re i këndohet dikujt, atëherë i kënduari përpiqet kot ta fsheh sekretin, sepse atë do ta zbulojë vetë kënga. Kënga e bartur nga mëhalla në mëhallë, shkon prej shtëpie në shtëpi, prej haremi në harem, prej goje në gojë, prej njërit def në tjetrin, prej njërit aheng në tjetrin. Pra, kudo që do të këndohet aty edhe do të arrijë kënga e re.

Zylfijes nuk i nevojitej armike më e madhe sesa kënga për të, mjaftonte që ajo tashmë të këndohej në këngë, kënga do ta zbulojë dhe do të rrëfejë gjithçka për gjithë botën, ajo do t’ua rrëfeje babait dhe së ëmës sekretin e saj.

– Aman hanëme, çfarë të bëj? – pyeti e shkreta Sad’k hanëmen. Ma kanë bërë këngën dhe e këndojnë gjithkund, gjithkund…
– Çfarë do të bësh?! Ne duhet t’i dërgojmë haber Dautit – tha Sad’k hanëmeja,
– Ose le të kërkojë, ose le të heqë qafe, rrugë tjetër nuk ka.
– Si t’ia dërgojmë haberin atij? – pyeti e trembur Zylfija.
– Gjeje një copë të vogël gëlqereje, shkurtoji disa fije të flokëve të tua dhe dërgoja Dautit.
Gëlqerja do të thotë: “ose më duaj, ose më hiq qafe”, ndërsa fijet e flokëve do të thonë: “më merr në zemrën tënde duke më bartur me vete”.
Prapë një djaloshi ia çoi një letër të tillë Dautit dhe prej tij e solli një merimangë të vogël, që do të thotë: “nuk mund të marrë derisa të shoh”.
– Çfarë të bëj? – e pyeti Zylfija përsëri Sad’k hanëmen – çfarë duhet të bëj, hanëme?
– Sonte duhet ta lësh Dautin të hyjë në bahçe!
– Aman nisi të dridhej Zylfija – aman, hanëme nuk guxoj!
– Duhet patjetër! Ai nuk të njeh dhe deri tani vetëm ka dëgjuar për ty, e nëse nuk u beson veshëve të tu, atëherë ai le të të shohë vetëm një herë, kështu që nuk do të kalojë as një ditë dhe do t’i dëgjosh të goditurat e hallkës në portën e shtëpisë.
– Zylfija e gjorë e dërgoi përgjigjen të mbështjellë në çevre ku vendosi një kërcell nane dhe një kokërr fasuleje. Kërcelli i nanës do të thotë: “eja tek unë”, ndërsa kokrra e fasules do të thotë: “eja sonte!”…

*
Nata është e bukur me qiell të pastër. Nëpër sokakët e shtrembër nëpër mëhallë, oxhaqet e minaret i kishin shtrirë hijet përtej çative të ndriçuara. Nëpër rrugët e heshtura ngadalë lëviznin zaptitë, ndërsa në qoshe dhe kryqëzime të sokakëve flenë turma qensh. Nga kulla e sahatit bie kambana duke e shënuar orën në të cilën të gjithë besimtarët e vërtetë tashmë janë në gjumë…. Hëna ngjitet lart dhe hijet bëhen gjithnjë më të vogla e më të ngushta.

Një puhizë fryn butë; saqë gjethi mezi që lëviz në degë, ndërsa një yll në qiell dridhet dhe luan si zemra e Zylfijes. Ka gjysmë ore që ajo është në bahçe. Në shtëpi të gjithë janë në gjumë, ndërsa ajo vjedhurazi ka dalë aty dhe prej frikës është matur të kthehet në shtëpi dy herë! Por, thonë se sevdahu është më i fortë se frika.

Në duvar Zylfija e ka mbështetur shkallën dhe me një vesh dëgjon mos vallë do të zgjohet dikush në shtëpi, ndërsa me tjetrin përpiqet që të dëgjojë ndonjë zhurmë në sokak? Po edhe në këto çaste të ankthit ajo nuk është e vetëdijshme se prej çkahit do të rrëqethej më shumë.
Ka kaluar një orë që ajo pret në bahçe dhe deri në këto çaste asgjë nuk është dëgjuar. Duket se ajo i numëron orët sipas rrahjeve të zemrës së saj, ndërsa zemra e saj sonte po rrah shumë, shumë shpejt dhe fort…

Në një moment, një guralec ra në kopsht, i ndjekur nga një tjetër, pastaj ra edhe i treti. Kjo ishte shenja që Dauti e kishte paraparë për të….edhe ajo as vet nuk e dinte se si aq shpejt si një ketër u ngjit shkallëve në duvar dhe aty e gjeti Dautin! Kur Zylfija e pa një bukuri të tillë, vetëm sa nuk i ra të fikët.
Ata pritën prej njëri – tjetrit se do ta shkëmbenin ndonjë fjalë por që të dy mbetën gojëkyçur. Çfarë të bësh, që të dy janë axhami!… Më në fund e gjetën një fjalë të vetme… dhe ia pëshpëritën atë njëri-tjetrit duke i mbështetur buzët e nxehta njëra mbi tjetrën dhe ashtu qëndruan një kohë të gjatë…
Për pak Hëna u fut pas një vranësire dhe hija e saj e mbështolli Dautin e Zyflijen, duke dashur që ta fshehë puthjen e ëmbël të tyre…

*

Në Mëhallën e Mahmut beut atje poshtë nuk luan më gërneta; defi nuk i përgjigjet nga Mëhalla e Llokaçit, sepse për një zemë nuk duhen më dy kuvendime.

Përpara shtëpisë së Sali agës fuqishëm bien katër daulle dhe luajnë dy zyrle! Armët shtyhen mes vete dhe kujat e zbukuruar lozin në vend … krushqit fillojnë të tubohen.

Dhe urimi im është: Allahu Mubarek ets’n! (Të ju japë Allahu shumë vite)

Ky tregim me titullin origjinal “Sevdah” është pjesë e librit “Ramazanske večeri” të cilin Branisllav Nushiq (1864 – 1932) e shkroi më 1898 gjatë shërbimit të tij diplomatik në Manastir, Serres, Selanik, Shkup e Prishtinë ku qëndroi për një dhjetë vjet. Libri i botuar më 1922 por siç përshkruhet “iu fsheh lexuesit serb për gati shekull”.  Përktheu dhe përgatiti: Skënder Latifi