Pak javë më parë në Top Channel, një reportazh i gazetarit Marin Mema, tregoi jetën e vështirë të dy vëllezërve dhe familjes së tyre në një zonë të thellë dhe thuajse të braktisur të Librazhdit.
Dy vogëlushet me prindër invalidë, për shkak të mbylljes së shkollës në fshatin e tyre dhe pamundësisë ekonomike të familjes Hasa, nuk kanë mundur të mësojnë shkrim e lexim. Ata jetonin në varfëri, me shtëpinë që mund t’i zinte poshtë në çdo moment.
Megjithatë shumë gjera tashmë për ta kanë ndryshuar. Iniciativa e gazetarit Marin Mema, mbështetur nga shumë shqiptarë të thjeshtë, ka bërë të mundur që familja të gëzojë një shtëpi të re në qytetin e Librazhdit.
Marini: Bashkë mundemi të bëjmë vertet shumë. Ju falënderoj të gjithëve që bëtë të mundur që këtyre fëmijëve t’u ndryshojë jeta. Ata do të fillojnë shkollën dhe padyshim do të ecin përpara me ndihmën e shqiptarëve të ndershëm.
Gazetari Marin Mema ka falënderuar të gjithë mbështetësit dhe veçanërisht familjen Bici për dhurimin e banesës së vjetër në Librazhd mbi të cilën u ndërtua shtëpia e re ku tashmë do të jetojë familja me dy vogëlushët. Po kështu ai përmendi mbështetjen e vëllezërve Biçaku dhe gjithë dhuruesve që e mbështetën këtë iniciativë.
“Faleminderit me zemër të gjithëve”, tha gazetari Mema.
Për realizimin e këtij projekti sipas gazetarit u mblodhën rreth 37 mijë dollarë dhe u shpenzuan 36 mijë e 850 dollarë. Familja ka tashmë në pronësinë e saj veç shtëpisë së re rreth 80 metra katror, edhe një kopsht 200 metra katror që rrethon banesën.