Do të mendoni se arkitektët që dizajnuan pallatin e Vladimir Putinit menduan për gjithçka.
Në fund të fundit, kompleksi miliarda dollarësh i vendosur mbi një kodër me pamje nga Deti i Zi, ka çdo luks që do ta dëshironte çdo autokrat. Siç u zbulua nga Alexei Navalny, pallati ka kishën e tij, bodrumin e verës dhe kazinonë. Shtëpia madhështore e Putinit është e izoluar nga shteti që ai drejton, prej 17,000 hektarë pyje dhe një zonë speciale ndalim-fluturimi.
Masat paraprake janë më shumë paranojë e Putinit. Në fillim të muajit, autoritetet ruse kishin pretenduar se dy dronë tentuan ta vrasin Putinin, raportoi BusinessInsider.
Por, pavarësisht luksit dhe mbrojtjes së fuqishme, ndërtuesit e pallatit duket se kanë neglizhuar një detaj kyç. Ata dështuan të fshihnin planet që tregojnë dy tunele poshtë kompleksit, plane që çdo aparat shtetëror do të luftonte me mish e shpirt t’i mbanin sekret.
Faktikisht, ato u postuan në internet. Metro Style, kontraktor rus, postoi diagramet në faqen e tyre të internetit për të treguar punën.
Kompleksi nëntokësor nën pallatin e Putinit përbëhet nga dy tunele të ndara që lidhen me një ashensor që zbret afërsisht 50 metra nën sipërfaqe. Planet arkitekturore tregojnë se tunelet furnizohen me ujë të freskët, ventilim dhe gjëra të tjera, mjaftueshëm për të mbështetur banorët që qëndrojnë aty për ditë apo javë.
Daljet nga këto tunele janë të dukshme vetëm përpara kompleksit, në pjesën shkëmbore që ngrihet nga deti.
Të gjithë liderët e shteteve me fuqi bërthamore bëjnë plane për raste rreziku. Presidenti amerikan ka një bunker urgjent poshtë Shtëpisë së Bardhë. Por, ndryshe nga ai, kompleksi i Putinit është i financuar privatisht dhe në pronësinë individuale të tij. Duket se kishte qëllim jo të siguronte vazhdimësinë e një sistemi politik, por mbijetesën e një individi.