Mesazh për Biden-in? Arabia Saudite pret me të “gjitha të mirat” presidentin e Kinës

Kur presidenti kinez Xi Jinping mbërriti në Riad të mërkurën, Arabia Saudite e priti atë me madhështinë dhe kushtet e rezervuara normalisht për aleatin më strategjik të mbretërisë, Shtetet e Bashkuara.

Katër avionë luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore Saudite shoqëruan avionin e Xi, pasi ai u fut në hapësirën ajrore të vendit. Më pas, ai u shoqërua në ulje nga gjashtë avionë aerobatikë që linin pas gjurmë tymi të gjelbër, sipas transmetuesit shtetëror të Kinës CCTV.

Televizioni shtetëror saudit tregoi Xi duke ecur nëpër shkallët e avionit të tij presidencial në Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid, ku u prit nga Princi Faisal bin Bandar bin Abdulaziz, guvernator i rajonit të Riadit dhe Princi Faisal bin Farhan bin Abdullah, ministri i Jashtëm saudit.

Një tapet i purpurt iu vu përpara këmbëve liderit kinez, ndërsa në sfond u dëgjuan të shtënat me topa.

Vizita shumëditore do të përfshijë dy konferenca që do të mbledhin udhëheqës nga e gjithë bota arabe. Do të nënshkruhen dhjetëra marrëveshje tregtare, ekonomike dhe ushtarake, në vlerën e dhjetëra miliarda dollarëve.

Të pakursyer, sauditët janë treguar edhe kur pritën ish-presidentin amerikan Donald Trump në vitin 2017. Ai udhëtim ishte gjithashtu një event 3-ditor i kuruar në detaje.

Mirëpo, mirëpritja e Xi në tapetin e kuq është shumë larg udhëtimit të Presidentit Joe Biden në Riad këtë verë. Princi i kurorës, Mohammed bin Salman, pa e vënë buzën në gaz e përshëndeti Presidentin me grusht, më pas e turpëroi publikisht gjatë një takimi të tryezës së rrumbullakët televizive, duke njoftuar një rritje të kufizuar të prodhimit të naftës që ishte shumë larg kërkesave të SHBA-së.

Ndërsa bin Salman bëri të ditur vendimin, televizioni shtetëror saudit iu drejtua Biden-it dukshëm të acaruar, i cili dukej se ishte kapur në befasi. Muaj më vonë, Arabia Saudite e uli më tej prodhimin e naftës.

Kontrasti i mprehtë mes vizitës së Biden dhe asaj të Xi në Arabinë Saudite mbart një mesazh të nënkuptuar për SHBA-në, raporton CNN.

Pavarësisht lutjeve të vazhdueshme të Uashingtonit drejtuar aleatëve të tij arabë të Gjirit për të refuzuar ofertën tregtare të Kinës, marrëdhënia e rajonit me Pekinin vazhdon të evoluojë, duke përparuar jo vetëm në tregti, por edhe në siguri.

Mesazhi i parë është se kjo është një Arabi Saudite e re. Ky është një Gji i ri. Ky është një realitet i ri. Realiteti i ri është se Kina po rritet dhe Azia po rritet dhe nëse SHBA-ja e do apo jo, ne duhet të merremi me Kinën.

Abdulkhaleq Abdulla, analist i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe anëtar i lartë në Universitetin e Harvardit