Paralajmërimi i Klitschkos: Apokalipsi mund të ndodhë

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, siguroi këtë të mërkurë në një intervistë për Reuters se një skenar “apokalipsi” mund të ndodhë në qytet, nëse bombardimet ruse kundër infrastrukturës civile vazhdojnë.

“Kievi mund të humbasë furnizimin me energji elektrike, ujë dhe ngrohje. Apokalipsi mund të ndodhë, si në filmat e Hollivudit, kur nuk është e mundur të jetosh në shtëpi për shkak të temperaturës së ulët”, tha kryebashkiaku.

Gjithashtu, ish-boksieri ka siguruar se, pavarësisht rrezikut, nuk është ende i nevojshëm evakuimi i qytetit, por banorët e Kievit duhet të jenë të përgatitur në rast se situata përkeqësohet.

Në kryeqytetin e Ukrainës, prej disa javësh kanë nisur ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të sulmeve ruse kundër infrastrukturës energjetike që furnizon qytetin. “Ne po luftojmë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kjo të mos ndodhë”, tha Klitschko.

Kievi ka ngritur “pothuajse 500 qendra ngrohjeje” të shpërndara në të gjithë kryeqytetin, “por për një qytet prej 3 milionësh, 500 pika nuk janë asgjë”, tha kryebashkiaku. Klitschko gjithashtu nuk sheh një të ardhme më të ndritur. Në intervistë, ai tregoi se qyteti mund të mbetet pa ngrohje deri në pranverë, ndërsa temperaturat mund të bien deri në -15 ºC.

“Nëse furnizimi me energji elektrike vazhdon të jetë i ndërprerë ndërkohë që temperaturat e jashtme mbeten të ulëta, fatkeqësisht do të detyrohemi të kullojmë ujin nga ndërtesat. Në të kundërtën, uji mund të ngrijë dhe të prishë të gjithë rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtesat do të jenë totalisht të padobishme për përdorim të mëtejshëm”, theksoi ai.

Përballë “apokalipsit” të mundshëm të paralajmëruar nga Klitschko, kryebashkiaku u ka kërkuar qytetarëve që të përgatisin furnizime emergjente me ushqim dhe ujë, si dhe të kenë gati veshje dhe dokumente për të evakuuar shpejt qytetin nëse është e nevojshme.