Escobar: Barrikadat të largohen menjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Siç njofton kryeministria, takimi i sotëm ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij.

Në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit dhe situatën në pjesën veriore të Kosovës duke u theksuar se largimi i barrikadave duhet të ndodhë menjëherë.

“Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve’, njofton Zyra e Kryeministrit.