A e pezulloi liberalizimin e vizave, apo Macron e kërcënoi me pezullim Kosovën?

Në mediat shqiptare bëri bujë deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron, se shteti që e drejton e ka pezulluar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këto fjalë të të parit të Francës u thanë nga përkthimi zyrtar i Qeverisë së Shqipërisë gjatë ditës së sotme në konferencën e Macron me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“E them me shumë qartësi, u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë, fjala nuk po mbahet, pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara për javët e ardhshme është kushti i paqes në të gjithë zonën”, këto janë fjalët e Macron sipas përkthimit zyrtar të Qeverisë shqiptare.

Pas disa orësh e gjithë vëmendja që iu dha kësaj pjese të fjalëve, u vë në mëdyshje nga një artikull i publikuar nga Agjencia Franceze e Mediave (AFP).

Por sipas AFP-së, Macron ka paralajmëruar se Franca mund të rishikojë vendimin për udhëtimin pa viza të Kosovës në Bashkimin Evropian, nëse të dyja palët [Kosova dhe Serbia] nuk bëjnë përparim në uljen e tensioneve.

“E them shumë qartë, ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, kjo është kushtëzuar me mbajtjen e fjalës dhe sot kjo fjalë nuk është mbajtur”, thuhet në pjesën e artikullit të publikuar nga AFP-ja për deklaratën e Macron.

Pos vizave, Macron foli edhe për situatën e tensionuar të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar që palët të punojnë në rrugën para në procesin e dialogut, ku ka kërkuar organizimin e zgjedhjeve të reja, pjesëmarrjen e serbëve në votim, si dhe njohjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Kosova.

“Unë pres një frymë përgjegjësie nga presidenti serb dhe të njëjtën gjë pres nga presidenti dhe kryeministri kosovar”, tha Macron, sipas raportimit të AFP-së.