Arrestimi i Belerit, mediat greke: Dendias, bisedë telefonike herët në mëngjes me Ramën

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e së premtes një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit. Kjo është ajo që raportojnë mediat greke duke cituar burime diplomatike.

Po ashtu, mediat në vend raportojnë se për arrestimin e kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë u mbajt një bisedë telefonike mes ministrit grek të Mbrojtjes Civile Takis Theodorikakos dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Gjatë kësaj bisede, sipas raportimeve, Theodorikakos kërkoi “lirimin e menjëhershëm të Belerit.”

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme reagoi kryeministri Edi Rama i cili e cilësoi rastin “një sprovë të madhe për drejtësinë në prag të zgjedhjeve.” Kreu i qeverisë bëri apel që të mos ngrihen menjëherë akuza por të pritet që të flasë drejtësia.

Ndërsa, avokati i Fredi Belerit, Bledi Dumani, konfirmoi më herët se autoritetet kanë prerë gjatë paradites të së premtes urdhër-arrestin për Belerin. Gjithashtu, ai theksoi edhe se ka dhënë dorëheqjen, në mënyrë që të dalë dëshmitar në lidhje me këtë çështje.

Duke përcjellë edhe reagimet e organizatave të minoriteteve, mediat helene e cilësojnë arrestimin e Belerit si një përpjekje për të intimiduar votuesit “dhe sidomos ata që pritet të udhëtojnë nga Greqia për në Shqipëri për të votuar në zgjedhjet e së dielës.”