Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta valltarja e njohur Liljana Cingu

Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu, është ndarë nga jeta  në moshën 74-vjeçare.

Lajmin e hidhur për humbjen e madhe të “Nderit të Kombit”  e bëri të ditur më herët përmes një postimi në Facebook Genc Kastrati, mjeshtër i valleve në Ansamblin e TKOB dhe njëherazi mik i valltares.

“Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshteren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. ..Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj. Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj”, shkruan Kastrati në Facebook.

Lili vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh. Ditët fundit ajo ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore në spital. Homazhet në nder të saj do të mbahen nesër paradite, në hollin kryesor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Cingu ka qëndruar 45 vite në skenë. Ajo ishte e njohur për kërcimet e saj me Rexhep Çelikun.

Liljana Cingu e cilësuar si “Perëndeshë e valleve shqiptare” është dekoruar në vitin 2018 nga presidenti i atëhershëm Ilir Meta me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.

Lili Cingu  ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet e shqiptarëve si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit.

“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte nga valltaret shqiptare, që krijoi një personalitet të sajin tipik jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit të saj për vallet e bukura shqiptare.

Liljana Cingun, ishte një nga valltaret e para shqiptare, por edhe pse u shkëput nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore prej vitit 1997, ajo nuk hoqi dorë kurrë nga skena.