Autoritetet ekuadoriane ngrenë alarmin: Arratiset nga burgu “The Savage”, lider i një bande të lidhur me shqiptarët

Autoritetet ekuadoriane bëjnë me dije se, një lider i bandës së lidhur me shqiptarët i njohur si “The Savage” është arratisur nga burgu në Ekuador, ndërsa kartelet kriminale përshkallëzojnë betejën e tyre për pushtet në rrugët e vendit.

Sikurse raporton “The Telegraph”, Fabricio Colón Pico ishte një nga 38 të burgosurit që u arratisën nga burgu qendror i Riobamba pasi rojet atje u morën peng mes një vale gjakderdhjeje që ka përfshirë kombin e Amerikës së Jugut ditët e fundit.

44-vjeçari është kreu i dyshuar i bandës Lobos, ose Ujqërit. Ai u arrestua katër ditë më parë për përfshirje të dyshuar në një komplot për të vrarë prokurorin e përgjithshëm të Ekuadorit. Aleate me mafioze të ndryshme shqiptare, Lobos besohet se është përgjegjës për zhvendosjen e sasive të konsiderueshme të kokainës nga Kolumbia dhe Peruja fqinje përmes Ekuadorit.

Arratisja e tij të martën erdhi ndërsa forcat e armatosura të Ekuadorit ishin përfshirë në një përplasje me kriminelët e organizuar, duke vendosur më shumë se 22,000 ushtarë për të shuar një fushatë terrori të zhvilluar nga bandat që tashmë ka marrë 16 jetë.

Me një prani të armatosur në rrugë, patrullime nga toka, det dhe ajër, kontrolle të rastësishme trupore dhe makinash, bastisje burgjesh dhe zbatimin e një shtetrrethimi, qeveria e Presidentit Daniel Noboa është zotuar të mos dorëzohet në “luftën” e saj me 22 bandat të cilësuara si organizata terroriste.