Baba Ali Turabiu, bektashiani i madh atdhetar

Mehmet Gëzhilli

Është një përvjetor që e meriton të përkujtohet me respekt të veçantë: 125 vjet më parë lindi Baba Ali Turabiu në Arrës të Tepelenës.

Ajo Arrës e vogël e Tepelenës nxori edhe një bektashi, nga më të diturit, më të kënduarin e më të kulturuarin, që, po ta shikojmë si njeri të besuar të fesë bektashiane, por që dinte të nderonte dhe respektonte çdo besim të të tjerëve, ta shohim si gjuhëtar e gazetar, si poet e përkthyes, folklorist dhe historian, filozof dhe mendimtar, sa i urtë dhe i mprehtë, ai i gëzon dhe i plotëson këto kualitete.

Por mbi të gjitha këto dhunti që ai gëzonte, ajo që e përshkroi gjithë jetën e tij, ishte atdhetarizmi i kulluar, i pastër si ujët e Vjosës që shushurit përjetësisht në këmbët e Arrëzës dhe Tepelenës.

Ai ishte sa atdhetar, aq edhe fetar, ishte sa fetar, aq edhe patriot i kulluar, por me një fund tepër tragjik.

Por sot në 70-vjetorin e pushkatimit dhe të krimit makabër ndaj tyre jemi mbledhur për të përkujtuar atë së bashku me Baba Shefqet Gllavën, jo duke mbajtur një kumtesë, referat a diçka tjetër, por për t’u bërë një homazh nderimi e përkujtimi, për të thënë me dhimbje e pikëllim të thellë dy fjalë zemre për ata dy martirë bektashinj që u martirizuan në moshën dhe në kohën më të duhur, që atdheu kishte aq shumë nevojë për njerëz të ditur e të shkolluar.

Baba Ali Turabiu pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, u rrit e u edukua me bëmat legjendare të të parëve të vet, që sillnin erërat e serta të Tepelenës, që kanë ardhur nëpër shekuj. Më pas studion në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, që mund ta quajmë universitetin më të mirë të kohës.

Në gjimnazin “Zosimea” kishin studiuar shumë atdhetarë shqiptarë, dhe po aty kishin studiuar mendjendriturit, vëllezërit Frashëri, Naimi e Samiu.

Dhe aty, jo vetëm studioi Baba Ali Turabiu, por u bë ithtari më besnik i rrugës që shtruan vëllezërit Frashëri. Më pas, për t’u kompletuar me arsim e kulturë perëndimore, ai studion në Francë, dhe si për ta vazhduar rrugën që kishin ndjekur një numër i konsideruar baballarë tepelenas, edhe ai iu përkushtua fesë bektashiane, duke filluar karrierën e vet në Teqenë e dëgjuar të Prishtës, më pas në teqenë e famshme të malit të Tomorrit, duke u ngritur në shkallën më të lartë, të kryegjyshit, në Teqenë e Gjirokastrës.

Por Baba Ali Turabiu, jo vetëm iu përkushtua dhe praktikoi ritet e fesë bektashiane, por kontributi i tij qe i gjithanshëm, duke u përpjekur të krijonte e plotësonte me shkrime gazetareske, me krijime artistike, me poezi e përkthime, me studime të mirëfillta historike, synonte të krijonte literaturën e  domosdoshme bektashiane. Ai është historiani më i plotë, më i saktë dhe më i gjithanshëm i historisë së bektashizmit në Shqipëri dhe më gjerë. Kur e pyet një profesor që ka mbetur anonim, se a kanë bibliotekë dhe bibliografi bektashinjtë, ai i përgjigjet: “Po, kemi.”, megjithatë ai bie në mendime dhe përqendrohet se çfarë ishte krijuar dhe çfarë duhej krijuar ende.

Baba Ali Turabiu ka meritën që jo vetëm ka marrë pjesë, por ka qenë organizator dhe sekretar i kongreseve bektashiane në Prishtë të Skraparit, në Turan të Korçës dhe në Gjirokastër. Si shumë dokumente, ashtu edhe projekt-statutet e hartuar, mbajnë penën dhe dorën e tij. Baba Ali Turabiu dha kontribut të veçantë për realizimin me sukses të këtyre kongreseve, por ai i pasqyroi gjerësisht në shtypin e kohës. Krijimtaria e Baba Ali Turabiut, e përcjellë me një sërë pseudonime, përfshin të gjitha gjinitë e pasqyron gjithë problemet, shqetësimet e hallet e kohës.

Ai përjetoi masakrat e vitit të mbrapshtë 1914, ku shovinistët grekë jo vetëm masakruan deri gratë dhe fëmijët, por dogjën dhe shkatërruan edhe vendet e shenjta, siç qe edhe fati i teqesë së Prishtës, ku pasi e ropën me gjithçka, i lanë vetëm katër muret. Baba Aliun dhe dervishët e tjerë i ndoqën për t’i masakruar, por ata mundën t’u shpëtonin, duke shkuar larg  në Egjipt. Baba Aliu për këtë i drejtohet me një letër therëse, demaskuese gjithë ironi, ministrit të mbrojtjes greke.

Baba Aliu shkruan dhe është i bindur se Teqeja e Prishtës do të ringrihej, por ajo që do të mbetej e pashklyer dhe e dënuar përjetë, ishte ndëshkimi i ndërgjegjes dhe i krimeve të shovinistëve grekë. “…Neve s’duam të dimë shtëpij’ e Zotit jonë ëshë e begatëshme, do të viren në vent përsëri ato sendet e rrëmbyera, por emër’ i ushtrisë rrëmbenjëse të Greqisë do të jetë i qërtuar përjetë ndë istori.”

Dhe më tej ministrit grek i kujton se meqë varfë Alinë nuk arritën ta kapnin e ta coptonin, ai u përgjigjet: “Me varfe Alinë or qirje kalanin, do të hasni këto ditë në Përmet, i cili në vend të ligësivet që i bëtë, do të marrë shpagë duke u bërë mirësi e duke hedhur shkëndijat e dritës së bashkimit e vëllazërisë në trutë tuaj të ndryshkura!!!”

(“Liri e Shqipërisë”, 20 mars 1914, f.2)

Baba Ali Turabiu edhe në Egjipt iu përkushtua artit dhe shkencës duke i zgjeruar njohuritë e tij, duke studiuar nëpër bibliotekat e pasura, të thesareve egjiptiane. Baba Ali Turabiu njeh në kuptimin më të mirë të fjalës, poetët klasikë, që nga Homeri, Danten, Shekspirin, poetët francezë, poetët persianë, duke i studiuar në origjinal, por edhe debatuar lidhur me veprat e tyre.

Kjo e bëri atë që të ngrejë probleme të mprehta për gjuhën, letërsinë e filozofinë e kohës. “Para çdo pune ndaj përparimit letrar, me nevojën më të domosdoshme është puna e botimit të një fjalori të plotë. Fjalori i Kristoforidhit është i vlefshëm për gjuhën tonë përpara botimit të librave të Naim Frashërit dhe të Jan Vretos; i vlefshëm vetëm sa të diktohej faza e ringjalljes së një gjuhe klasike, siç ishte atëhere gjuha jonë e pashkruar.” (“Gazeta e Korçës”, 11 shtator 1936, f. 3)

Është ndër të parët që ngre lart punën e veprën e Kristoforidhit dhe fjalorin e tij, por siç thotë Baba Turabiu, ose Baba Ali Tomorri, që duhej me domosdo hartimi i Fjalorit të Gjuhës Shqipe.

“… Gjuha jonë është mjaft e pasur, një pjesë e pasurisë së saj është e pazbuluar, dhe që të zbulohet, (revolohet), nuk do punë vetëm me kartë dhe punë mbi tryezë. Do një punë të palodhur alakristoforidhiane, duke ardhur pa rrjeshtë në takim (kontakt) me popullin, më shumë m’e atë pjesë të popullit që nuk di të shkruajë  e të këndojë mbi kartërat, dhe megjithë këtë të metë, di të kuvendojë në fjalë të qëruara.” (“Rilindja”, Korçë, nr. 14, 15 qershor 1935, f.11.)

Është i pari që ngre problemin e përdorimit të emrave shqiptarë, si për meshkuj, dhe për femra, duke dhënë shembuj me një mori emrash ilirë të botuar në shtypin e kohës. Ngre me shumë forcë përsosjen e gjuhës shqipe dhe shkruarjen e saj saktë. Ai arrin në përfundimin se është kjo gjuha shqipe që na çoi në çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë më 1912, dhe e mbajti gjallë dhe që jeton edhe sot kombi shqiptar. Përzgjedhja dhe rekomandimi i emrave pellazgo-ilirë tregon se sa i lidhur ishte Baba Ali Tomori me historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Po përmendim vetëm pak emra, si për djem dhe për vajza.

Për djem:

Akil, Piro, Omir, Lekë, Klito, Arjan, Skënder, Bardhyl, Muzakë, Arianit, Perlat, Mois, Uran, Mollos, Dardan, Libur, Taulant, Luan, Dragan, Gjolekë, Fatos, Fatmir, Gurro, Petrit, Ilir, Shkëlqim, Idlir, Dritan, Toskan, Mirash, Marash, Akeron, Komnen, Kushtrim, etj., etj.

Për vajza:

Teftë, Vojsavë, Fatlume, Fatoshe, Floreshë, Dodonë, Minushe, Afërditë, Djellushe, Dritë, Liri, Bukuri, Jetë, Verë, Pranverë, Trëndafile, Dafinë, Lulevere, Shkëndi, Minervë, Dianë, Dallëndyshe, Vitore, etj., etj.

Ai vlerëson veprën e Naimit për rolin që luajti në krijimin e gjuhës letrare dhe të përparimit të shkollës shqipe. Në qoftë se gjuha greke pati një Homer, gjuha italiane pati si shembull një Dante, gjuha angleze pati një Shekspir, gjuha franceze pati një Volter dhe Hygo, kurse Naimi ynë nuk e pati këtë përvojë, por ai e nisi nga hiçi dhe puna e tij është aq e pakrahasueshme, sa, jo vetëm gjuhën shqipe e skaliti, por edhe gjuhës perse i bëri një gramatikë dhe i këndoi me “Ëndërrimet”, që edhe sot mbahet e vlerësohet si një nga librat poetikë më me vlerë.

Kjo e frymëzoi në rrugën dhe veprën e tij Baba Ali Tomorrin që të shkruajë poezi e këngë, të mbledhë folklor për patriotët Ismail Qemalin, Çerçiz Topullin, të krijojë nefese e gazelle, të mbledhë dhe krijojë aforizma, të përkthejë një mori poezi me tematikë atdhetare e bektashiane, duke i botuar ato. Por ka lënë një mori dorëshkrimesh, që me ekzekutimin e tij nuk dihet se ku u zhdukën. Nga Baba Ali Tomorri ka mbetur fjalimi që ka mbajtur mbi varrin e heroit Avni Rustemi:

“…Fli i qetë, Avni! Prehu i qetë në gjirin e kësaj Vlore kreshnike, pranë Ismail Qemalit të ndjerë, pranë Lekës, pranë Piros, pranë Kastriotit, pranë Vaso Pashës, Joan Vretos, pranë regjimentit apostolik dëshmorësh të Rilindjes Shqiptare.” (“Politika”, (Vlorë), 8 maj 1924, f.5)

Kurt erdhën eshtrat e Naim Frashërit nga Stambolli e u varrosën në këtë Kryegjyshatë, në qershorin e 1937-ës, Baba Ali Tomorri iu drejtua Naimit:

“Apostull i vërtetë Naim Frashëri!

Apostull me të vërtetë që nuk u gënjye për shpresat që ushqeu, nuk na gënjeu me paralajmërimet që na bëri. Duke u ndezur e duke u tretur si qiriri, ay na mbushi zemrat me dritën e vetënjohjes, dhe me atë dritë na çeli sytë që pamë dhe na ndriti mendjet që kuptuam se s’ka kurrgjë në këtë botë për të na përçarë nga togu i shtrënguar i vllazërimit. Ndoshta na pa në fera dhe besime të ndryshme, por na dha të kuptojmë se fetë dhe besimet, duke u predikuar me origjinalitet hyjnor, na bashkojnë përjetë dhe asnjëherë nuk na përçajnë…” (“Drita”, 4 qershor 1937, f.3)

Jeta e tij bektashiane nuk u nda asnjëherë nga fatet e popullit të vet. Ai mori gjallërisht pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u zgjedhur anëtar i  KNÇ për qarkun e Beratit, duke bashkëpunuar ngushtë me figurat e shquara si Kahreman Ylli, Mestan Ujaniku, Zylyftar Veleshnja, etj.

Për kontributin e tij letrar e shkencor që me krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve më 25 tetor 1945 ai zgjidhet në kryesinë e parë të lidhjes, që kishte për kryetar, njeriun e ditur, më të kulturuarin e kohës, Sefulla Malëshovën. Në atë lidhje bënin pjesë figurat e shquara si Aleksandër Xhuvani, Skënder Luarasi, Ymer Dishnica, Lasgush Poradeci, Patër Anton Harapi, Dhimitër Pasko, Dhimitër Shuteriqi, e sa e sa pena të tjera, por edhe vepra e Baba Ali Tomorrit qendron e barabartë midis të barabartëve. Ai gjithmonë është duke punuar, duke studiuar dhe krijuar. Interersante është edhe një copëz letër që I dërgon Mit’hat Frashërit nga mali i Tomorrit.

“Tomor më 18.5.1933

Të shkëlqyeshmit Zotni,

Mid’hat Bej Frashëri

Tiranë

I nderuari im!

Me kënaqësinë më të mirë po vij t’ju çfaq falënderimet, për gjestin bujar me mundimin që muarrt për ardhjen e librave frëngjisht, të porositura tashmë nga ana ime.

Simbas listës, po ju impostoj dhjetë franga ar dhe pak lekë që mbetën, kam me ja dërgue ma vonë.

Për vonesën me padashjen tonë, lutemi të na falni.

Me këtë rast, ju bëjmë lutje nxehtësisht, të na dërgoni ndonjë katalog të librave më të ra turqisht, dhe të na rekomandoni ndonjë enciklopedi, e cila të ketë shpirtin e “Konsul alamit…” (AQSh, Fondi 35, dosja 133, fleta 136.)

Por pas gjithë kësaj pune dhe kontributi për Baba Ali Tomorin dhe shumë patriotë intelektualë erdhën ditët më të zeza, burgosje, pushkatim, nën akuzat më monstruoze, më të padëgjuara.Pikërisht më 14 dhjetor 1948, si para tre ditësh, 70 vjet më parë, në Gjirokastër pushkatohen në të njëjtën ditë, Zenel Shehu, djali i babait të teqesë, sh komandant batalioni partizan.

Po atë ditë pushkatohen Gjyshi i Gjirokastrës, Baba Ali Tomori dhe Baba Shefqet Gllava, me akuzën agjent të anglezëve.

Ta zëmë për një moment se paskan qenë agjentë të anglezëve, po çfarë dëmi i bënë këtij populli e këtij vendi, kë vranë e kë prenë këta baballarë, çfarë vepre hodhën në erë e dëmtuan shtetin dhe ekonominë shqiptare?

Asgjë nuk del. Kështu, dita e 14 janarit 1948 është një ditë morti, nga më të dhimbshmet, ku njerëzit e dijes, njerëzit që tërë jetën kanë përhapur mirësi dhe dituri, pushkatohen.

Një thënie e urtë thotë se një vend që vret poetët, do ta ketë ndërgjegjen e lënduar. E rëndë dhe e pazëvendësueshme është edhe jeta dhe vepra e Baba Ali Tomorit, i cli të vetmin amanet që la ishte “Më ruani dorëshkrimet!” Dhe ne me aq sa mundemi, po e bëjmë këtë akt mirënjohje për të.

Po dikush mund të pyesë si arrita të njihem me jetën e veprën e Baba Ali Tomorit?

Dy rrugë kanë qenë: E para, duke u marrë me studimin e botimin për jetën e dëshmorëve, e më konkretisht, me jetën e Margarita e Kristaq Tutulanit, këtu e dyzetë vjet më parë, gjej midis botimeve të kohës një poezi kushtuar dy dëshmorëve beratas me nënshkrimin Gjysh Ali Gjirokastra, shkruar në shtator 1943, botuar në revistën bektashiane “Djersa” të vitit 1945.

Poezia është një elegji e dhimbshme, që për ta vajton edhe Osumi, edhe mali i Tomorrit, edhe Shpiragu.

Ç’ke që qan o Xha-Osumi?

Pse po shkon duke rënkuar?

Duke qarë po shkon lumi

Lum i zi e i sterruar?

Shkon Osumi valë-valë

I derth lotët palë-palë.

Shkon në det i pezmatuar;

Gjak i kuq i trumbulluar!

-Kesha çupë edhe djalë

Që i polla e i rrita

Nuk e di se ku m’u ndalë –

Është Kristaqi e Margarita.

Thot Osumi valë-valë

Dhe rënkon me mijëra fjalë

Ngashërohet si carua

Aan me lot për dy lastarë

Motr’ e vëlla njëzetëvjeçarë.

Shtator 1943, Gjysh Ali Gjirokastra, (Ish Baba Ali Tomori)

Ndërsa për Konferencën e Pezës shkruan:

Ra borija! Ra kushtrimi! Ç’është vallë?

jepet lajmi për të vdekur dhe të gjallë!

po zjen toka shqipëtare: rra kushtrimi!

le ta marrij vesh Europa dhe njerzimi.

Se shqiptarët djem e pleq, me gra e burra

rrobërinë s’e durojnë, s’bëhen ura

bëjnë forra, rrokin armët, mbushin brezë

turren gjithë, nisen gjithë për në Pezë!

Nisen gjithë për në Pezë, kuvendojnë

për lirinë djem e çupa të lëftojnë

për lirinë besa-besë të përpiqen,

tradhëtorë e armiq këtej të hiqen.

Po! në Pezë gjith’ u mblodhën, kuvenduan

lidhën fjalë dhe për luftë besatuan

besdatuan për një luftë madhështiore

ngjallnë shpirtrat dhe zakonet arbërore.

Ra kushtrimi! U bë lufta plot çudira

u derth gjaku i armiqve me rrëpira,

u derth gjaku i dëshmorëve si rrëkeja

mbi fashizmin dhe nazizmin ra rrufeja.

Gjysh Ali Gjirokastra. Djersa, nr. 2, shtator 1945, Tiranë, f. 7

Vonë-vonë mësova se kush ishte autori. Po kështu, duke u marrë para mëse 20 vjetësh me veprën e Naimit, në shtypin e kohës gjej rreth 12 shkrime kushtuar kryesisht poezive të “Luleve të Verës”. Shkrimet i kishte bërë më një penë vërtetë të një niveli të lartë, jo vetëm si vlerë artistike, por edhe me nivel të lartë filozofik.

U befasova dhe më rrëmbeu puna e këtij njeriu krejt të panjohur, që për Naimin kanë bërë monografi të plotë si prof. Shuteriqi, prof. Qosja e shumë të tjerë, por kurrkund nuk i janë referuar.

Kjo më trishtonte, por dhimbjen dhe trishtimin ma shtoi kur mësova për fundin tragjik të tij. Kjo më shtyti që krahas studimit dhe botimit të veprës së Naimit, Kristaq dhe Margarita Tutulanit, duke gërmuar nëpër arkiva, nëpër biblioteka, duke shfletuar botimet dhe shtypin e kohës, tani kemi plot pesë vëllime me krijimtari të Baba Ali Tomorrit, e cila qëndron e barabartë midis shoqeve të veta.

Na del detyrë që këtë krijimtari ta bëjmë pjesë të kulturës dhe pasuri të popullit.