Bastisen katër lokacione në veri, arrestohen dy të dyshuar për shpërndarje të pamfleteve që thërrisnin për rezistencë

Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut pasi dyshohen për shpërndarje të fletushkave dy ditë më parë, që nxisnin urrejtje dhe thërrisnin për rezistencë.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, thotë për Telegrafin se të dyshuarit janë të moshës 46 dhe 53-vjeçarë, derisa i dyshuar i tretë është në kërkim.

Ai thotë se gjatë aksionit janë bastisur katër lokacione.

Elshani ka shtuar se personat e ndaluar janë në fazën e intervistimit, dhe se sipas tij, ajo se çfarë do të ndodhë me ta do të vendoset pas intervistimit të prokurorit.

“Sot gjatë orëve të pasdites kemi bastis 4 lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë dhe i kemi ndalu dy persona, ndërsa jemi në kërkim edhe të një personi të tretë. Pas intervistimit të tyre do të vendoset për veprimet e tjera Të dyshimtët e ndaluar G.K. (1978) dhe D.S.(1971)”, ka thënë Elshani.