BE-ja përgatitet t’ia heqë masat Kosovës, Komisioni tenton ta ngadalësojë

epa08324062 A view of EU flags next to the European Council in Brussels, Belgium, 26 March 2020. EU leaders will debate the coordination of EU efforts to tackle the Covid-19 epidemic, as well as other issues, including foreign affairs, digital policy and enlargement. EPA/STEPHANIE LECOCQ

Bashkimi Evropian po përgatitet t’ia heqë masat ndëshkuese Kosovës dhe për këtë tashmë nuk ka kundërshtim nga asnjë vend anëtarë. Por, dallimet janë vetëm nëse duhet të hiqen të gjitha masat apo ato duhet të hiqen në mënyrë graduale. Sipas burimeve të KOHËS, në një takim të Komitetit Politikë dhe të Sigurisë së BE-së të zhvilluar të martën mbrëma në Bruksel është parë se shumica e vendeve anëtare duan heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, por tetë vende duan që ato të hiqen gradualisht.

Ato që kërkojnë “heqjen graduale” janë vende të rëndësishme si Franca, Italia dhe Gjermania. Diplomatët janë habitur me qëndrimin e Gjermanisë e cila ka qenë aktive në kërkesa për “qëndrim të balancuar të BE-së“ dhe për heqjen e masave ndaj Kosovës, por kjo është shpjeguar me përpjekjet që brenda vendeve të QUINT-it të ketë unitet. Më vonë Gjermania ka porositur se nuk është kundër as heqjes së plotë të masave. Vendeve që duan heqje graduale e jo të plotë të masave u janë bashkuar edhe tri vende që nuk e njohin Kosovën- Greqia, Spanja dhe Qipro. Ndërsa vendet që kërkojnë heqjen e plotë janë Finlanda, Kroacia, Polonia, Sllovenia, vendet baltike dhe disa tjera. Asnjë vend nuk është shprehur kundër, ndërsa Hungaria, e cila pas dy muajsh e merr kryesimin e BE-së “ka qenë e kujdesshme“.

Në atë takim për situatën në Kosovë kanë folur Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Ndërsa nga shërbimi i Jashtëm i BE-së (EEASS) ka folur zëvendësdrejtori menaxhues Marko Makovec.
Burimet nga vendet anëtare të BE-së i kanë thënë KOHËS se EEAS-ja është e interesuar që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe pritet të bëjë edhe një propozim për këtë, por “hezitim” ka nga Komisioni Evropian, më së shumti për shkak të ndikimit të komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi dhe drejtorit të përgjithshëm Jan Coopman.
“Të dy këta ishin shumë të gatshëm që me shpejtësi të madhe të vendosen masat ndaj Kosovës, ndërsa tash nga Drejtoria e përgjithshme për Fqinjësi dhe Zgjerim dhe zyra e Varhelyit vinë porosi që të mos nxitohet me heqjen e tyre”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Mospajtime të mëdha brenda BE-së ka edhe rreth asaj se cili është roli i vendeve anëtare në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.

Komisioni Evropian tash pretendon se “duhet vendim unanim i Këshillit për heqjen e masave“, ndërsa kur u vendosen masat u tha se “kjo është kompetencë e Komisionit Evropian“.

Përshtypja është se Komisioni Evropian është duke tentuar që të ngadalësojë heqjen e masave ndaj Kosovës e në anën tjetër ka refuzuar që të vendosen masa ndaj akterëve që destabilizojnë rajonin si

Milorad Dodik në Bosnjë-Hercegovinë apo në rastin e Serbisë.

Vendet anëtare kishin dhënë mbështetje politike për ndërmarrjen e masave ndaj kujtdo që ndërmerr hapa të cilët shkaktojë tensione. Kjo mbështetje ishte përdorur pastaj nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë Josep Borrell për të vendosur masat ndaj Kosovës. Por, vendet anëtare asnjëherë nuk kishin votuar në mënyrë specifike që Kosovës t’i vendosen masat. Madje disa vende anëtare as nuk i kanë respektuar këto masa, pasi kanë pasur takime të rregullta me liderët politikë të Kosovës, edhe pse ndër masat ka qenë edhe kufizimi i takimeve të tilla. Prandaj habit sjellja e Komisionit që kërkon pajtimin e të gjitha vendeve anëtare për heqjen e tyre.

Si përfundim i diskutimit të fundit për Kosovën nga ambasadorët e vendeve anëtare në Komitetin për Politikë dhe Siguri thuhet se BE-ja është afër që t’i heqë sanksionet. Asnjë vend nuk është më kundër, por vetëm ka dallim në qasjen se a duhet të hiqen të gjitha apo në mënyrë të sekuencuar.
Para se të hiqen masat ndaj Kosovës, për përmbushjen e kritereve duhet të raportojë përfaqësuesi i laftë i BE-së për Politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Vendet anëtare kanë kërkuar që ky raport të bëhet “sa më shpejt që të jetë e mundur“.