Besiktas “flet” shqip, Muçi e Muja çojnë “Shqiponjat e Zeza” drejt fitores

Besiktas rikthehet te fitorja në Superligën turke teksa mposhtën në “shtëpi”, me rezultatin e pastër, 2 me 0, skuadrën e Konyaspor pjesë e së cilës janë Sokol Cikalleshi e Valon Et’hemi, ku padiskutim protagonistët absolut në fitoren e “Shqiponjave të Zeza” ishin “yjet” shqiptarë, Milot Rashica dhe Ernest Muçi.

Ishte pikërisht sulmuesi i kombëtares ai që lëshoi sinjalin e parë në portën e Konyaspor teksa tentoi me një goditje të fortë nga distanca, goditje që u ndal në dy kohë nga portieri kundërshtar. Pak minuta më pas, Muçi tentoi sërish, por këtë herë humbi ekuilibrin në momentin e goditjes. Kështu, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Në fraksionin e dytë të sfidë, dyshja shqiptare mori “frenat e lojës në dorë”. Milot Rashica ishte protagonist në golin e parë teksa harkoi në mënyrë perfekte me topin që u devijua saktësisht nga Kilicsoy. Në 71’-tën, Rashica kombinoi bukur me Muçin me këtë të fundit që goditi në portë, me “gardianin” e Konyaspor, që nuk e kontrolloi topin dhe nga aty pranë përfitoi Cenk Tosun që realizoi golin e dytë.

Përfundimisht, ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0 me “Shqiponjat e Zeza”, të Besiktas që ngjiten në kuotën e 43 pikëve në vendin e katërt, po aq sa edhe Trabzonspor i vendit të tretë, ndërsa skuadra e Konyaspor nuk lëviz në renditje, teksa mbetet në vendin e 19-të të tabelës, me 25 pikë, duke rrezikuar jo pak rënien nga kategoria.