Bisedat në aplikacionin SKY/ Goditet grupi kriminal në Maqedoninë e Veriut, zbardhet vrasja e shqiptarit Riku Beu nga Kavaja

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë goditur një grup kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe vrasje.

Prokuroria Themelore kundër Krimit të Organizuar në Shkup ka lëshuar 16 urdhër-arreste pas hetimeve të kryera prej disa muajsh dhe analizimit të bisedave në aplikacionin e koduar “SKY”, që është zbërthyer nga agjenci ligjzbatuese të huaja.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në mesin e ngjarjeve kriminale të zbardhura, është edhe vrasja e shqiptarit nga Kavaja Riku Beu 35 vjeç, trupi i të cilit u gjet i groposur më 15 Maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit.

Këtë histori e ka trajtuar gjerësisht emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus në vitin 2020, përmes disa puntatave. Trupi që në atë kohë dyshohej se i përkiste një shqiptari nga Kavaja, u arrit të provohej nga emisioni Uniko përmes analizave të ADN-së se ishte i 35-vjeçarit Riku Beu. Që në atë kohë, dyshimet u ngritën se shqiptari ishte vrarë për çështje të trafikut të drogës, e së fundmi, autoritetet maqedonase kanë pohuar se kjo vrasje dhe të tjera kanë ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të narkotikëve.

Organizata kriminale në Maqedoninë e Veriut, sipas Ministrisë së Brendshme, ishte krijuar fillimisht nga 3 persona në vitin 2019, 2 prej të cilëve sot nuk jetojnë më, e më pas u bënë anëtarë një numër i madh.

Kjo organizatë trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, por një pjesë e saj ishte e destinuar edhe për në tregun maqedonas.

Konfliktet për çështje të trafikut të lëndëve narkotike, besohet se i kanë marrë jetën edhe shqiptarit Riku Beu, trupi i të cilit u gjet i groposur në periferi të Shkupit.

“Si rezultat i hetimeve dhe të dhënave të marra, janë siguruar provat se organizatori i grupit kriminal SH.M., së bashku me anëtarët e grupit kanë organizuar dhe kanë  vrarë një person nga fshati Bardovcë, vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë trupi i të cilit u gjet më 15 maj 2020 në fshatin Matkë e Epërme të Shkupit”, thuhet në njoftimin zyrtar, referuar rastit të Riku Beut.