Brazili tërheq ambasadorin nga Izraeli

Brazili ka tërhequr ambasadorin e tij në Izrael të mërkurën, pas muajsh tensionesh midis dy vendeve për luftën në Gaza, duke shënuar pasojat e fundit nga një komb i Amerikës së Jugut mbi fushatën ushtarake të Izraelit në territorin palestinez.

Lëvizja u njoftua në gazetën zyrtare të Brazilit, raporton AP.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se asnjë mesazh zyrtar nuk është marrë ende nga qeveria braziliane për këtë çështje. Megjithatë, pas raportimeve të mediave, i ngarkuari brazilian me punë u thirr të paraqitej në ministri të enjten për një takim.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva ka qenë një kritik i shpeshtë i ofensivës së Izraelit në Gaza, të cilën ai e krahasoi me Holokaustin në fillim të këtij viti.

Kjo bëri që ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, të thërriste ambasadorin brazilian, Frederico Meyer, në muzeun kombëtar të Holokaustit në Jerusalem për një qortim publik.

Veprimi i së mërkurës përfaqësoi një përshkallëzim dhe një ulje diplomatike, me Ambasadën braziliane në Izrael e cila ka mbetur pa një ambasador.

Sipas një zyrtari në ministrinë e Jashtme të Brazilit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, largimi i së mërkurës vjen si përgjigje ndaj poshtërimit të Meyer nga kryediplomati izraelit.

Meyer është transferuar në Gjenevë dhe do t’i bashkohet misionit të përhershëm të Brazilit në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.