Pa një pikë të qartë startuese, negociatat mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë të kota, ka thënë ish-politikani serb, Nenad Çanak, gjatë një bisede për KOHËN. Sipas tij, thelbi i problemit është njohja e shtetit të Kosovës, teksa nuk pret ndryshim të qasjes në Beograd në një të ardhme të afërt. Çanak, i cili të hënën qëndroi në Kosovë bashkë me një grup aktivistësh nga Ukraina, ka folur edhe për ndikimin rus në Serbi, që, sipas tij, përbën arsyen kryesore pse Perëndimi gjithë presionin po ia bën palës kosovareSerbia nuk është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, edhe pse nuk ka asnjë çështje që nuk do të mund të zgjidhej përmes dialogut, ka thënë ish-politikani i njohur serb Nenad Çanak, i cili pas dorëheqjes nga kreu i socialdemokratëve të Vojvodinës i është rikthyer shoqërisë civile. Duke folur për dështimin e takimit të fundit, Çanak thotë se aktualisht politika serbe po përjeton rritje të etno-nacionalizimit politik dhe ideve mikro imperialiste në pjesën lindore të Bosnjë-Hercegovinës, Mal të Zi dhe në veri të Kosovës.
“Për shkak të kësaj mendoj se të ashtuquajturat negociata janë të kota, sepse të arrihet marrëveshje kur nuk keni një pikë të qartë nisëse. Ka një shprehje që preferoj ta përdor në raste të tilla: është e pamundur ta zgjosh dikë i cili aktron sikur po fle. Pra, kur dikush nuk është duke fjetur por vetëm bëhet sikur, nuk mund ta zgjosh. E njëjta vlen edhe këtu. Nuk mund të bësh marrëveshje me dikë që nuk do marrëveshje. Sepse marrëveshja duhet të jetë mes dy shteteve sovrane. Në atë moment kur ka marrëveshje mes shteteve de facto, jo domosdoshmërisht de jure. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka dyshime në këtë. Kur flet me njerëzit në Serbi edhe politikanët që i njohin rrethanat privatisht të thonë se Kosova natyrisht që është e pavarur, por nuk mund ta pranojmë atë për arsye të ndryshme dhe të shumta”, ka thënë ish-themeluesi i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës”, ka theksuar Çanak.
Sa i përket rolit të ndërmjetësit në dialog, për të cilin kryeministri Albin Kurti adresoi kritika të forta se po ia mban anën Serbisë, Çanak këtë situatë e ka krahasuar me nxënësit e mirë dhe ata të këqij.
“Situata është shumë e qartë dhe e kuptueshme. Kur në klasë ke nxënës të mirë dhe të këqij, kur ke dikë që shkakton probleme gjatë tërë kohës, ju investoni më shumë durim në ta sesa tek tjetri që nuk bën probleme. Në këtë moment, mendoj se prezenca e ideve fashiste të Rusisë në Serbi është shumë e fuqishme. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë çfarë po munden për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus. Për këtë arsye ata po shfaqin durim të pakufishëm drejt udhëheqjes së Serbisë, veçanërisht presidentit Vuçiq. Qëllimi i tyre i vetëm është ta largojnë Rusinë nga Serbia sateliti i saj – Republika Serbe. Kjo praktikisht është arsyeja se pse presioni është zhvendosur tek gjithë të tjerët, përfshirë Kosovën”, është shprehur Çanak.
Çanak vlerëson se për momentin në Serbi nuk ka ndonjë forcë politike që do ta pranonte realitetin e Kosovës. Madje, sipas tij, as mbajtja e zgjedhjeve të reja atje nuk pritet të sjellë ndryshime në raport me Kosovën, teksa opozitën serbe e ka vlerësuar edhe më të keqe se pushtetin aktual.
Shkaktare të kësaj gjendjeje ai i sheh ndikimin dhe propagandën ruse. Kjo është edhe arsyeja pse ai bashkë me një grup aktivistësh nga Ukraina vizituan të hënën Kosovën, ku takuan edhe kryeministrin Albin Kurti. Analisti politik nga Kievi, Nikola Daviduka, thotë se qëllimi i vizitës është kërkesa për ndihmë dhe luftimi i propagandës së Putinit.
“Jemi këtu për të luftuar propagandën e narrativën ruse dhe t’ua themi të vërtetën qytetarëve të Kosovës për luftën në Ukrainë, për atë se si Rusia po vret civilë, po dhunon, po bombardon shkolla, ndërtesa banimi e shtëpi. Duam ta themi të vërtetën se si ushtrua jonë po mbron jo vetëm territorin e Ukrainës, por edhe depërtimin e autokracisë ruse në Evropë. Ukraina ka nevojë për mbështetje humanitare, ushtarake”, ka deklaruar Daviduka.
Sipas tij, Ukraina e vlerëson mbështetjen që Kosova ia ofroi pas nisjes së agresionit rus. I pyetur për njohjen e shtetit të Kosovës nga Ukraina, Daviduka tha se për momentin nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse ta luftojnë Rusinë.
Sonte në emisionin “Interaktiv” do të mund të ndiqni një intervistë të gjatë me ish-politikanin nga Serbia, Nenad Çanak, ku flet për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit dhe të Kurtit në dialog, pastaj për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, si dhe për tema të tjera. Intervista nis në orën 22:50.