Çmimi ‘Lumo Skëndo’, e fiton Ilir Ikonomi me biografinë për Fan Nolin

Gazetari dhe shkrimtari Ilir ikonomi ka fituar çmimin ‘Lumo Skëndo’ për vitin 2023 me biografinë për Fan Nolin.

Ikonomi u shpall fitues për veprën e tij “Fan Noli-Apostulli” përballë Thomas Frashërit me “Frashëri i shquar, i panjohur”, Ardit Bidos me “Beteja për 20 përqindëshin”, Natasha Lakos me librin “Njeriu si një tjetër” dhe Blendi Fevziut me “Takimet e mia me…”.

Çmimi “Lumo Skëndo” i jepet veprës më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.

Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006.

Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.