“Defender Europe 2023”, shikoni armatimet e rënda të ekspozuara në Sheshin “Nënë Tereza”

Shqipëria pret për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, “Defender Europe 23”. Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe është e një rëndësie strategjike sa i takon sigurisë rajonale dhe do të luajë një rol kyç e përmes gatishmërisë së lartë, ndërveprueshmërisë dhe operacionalitetit.

Në Sheshin “Nënë Tereza”, qytetarët patën mundësi të shohin helikopterë ushtarakë si dhe armatime të ndryshme, nga mitralozat, snajperët e pistoleta që përdoren nga ushtritë aleate të NATO-s.

Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura shqiptare në këtë stërvitje me 800 trupa konsiston ne demonstrimin e aftësive për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në një ambient operacional kompleks.

Stërvitja zhvillohet në periudhën 22 prill – 23 qershor dhe në të marrin pjesë 17 mijë nga 20 shtete aleate, plus 7000 trupa amerikane.

Në nisje të kësaj stërvitjeje morën pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila ritheksoi se Shqipëria dhe SHBA janë aleat të fortë dhe bashkë me aleatët e tjerë mund të kryejnë çdo mision. Ndërsa presidenti Begaj kërkoi nga qeveria që të shtojë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO. Ndërsa për kryeministrin Rama Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar.