“Do bëhemi kampionë në inovacion”, Rama flet për një “linjë kabllore direkte nënujore Shqipëri-Egjipt”

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se një projekt strategjik dhe inovativ do ta kthejë Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale, sipas tij.

“Mirëdita të gjithëve! Dua të falënderoj nga zemra kompaninë 4iG e cila është kompania që në Shqipëri aktualisht zotëron dhe administron kompaninë e telefonisë celulare ONE dhe që sot vjen si një partner i qeverisë shqiptare për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurt të të dhënave përmes një fibre optike lidhëse mes Egjiptit dhe Shqipërisë.

Kjo i jep mundësi vendit tonë që të garantojë një akses në këtë rrugë të re, në këtë autostradë të re digjitale të Mesdheut për një sërë vendesh të Europës Qendrore.

Mendoj që nga njëra anë, ky është një projekt i mirëseardhur sepse rrit në mënyrë domethënëse masën e mozaikut të projekteve që ne po bëjmë për ta transformuar Shqipërinë në një vend kampion në rajon për inovacionin, por nga ana tjetër, ky është një projekt i rëndësishëm edhe për besimin e sipërmarrjes në tërësi. Një besim që rritet vit pas viti dhe që gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4iG e cila zgjodhi Shqipërinë si një pikë referimi për këtë projekt shumë ambicioz.

Në pamje të parë, projekti nuk ka shifra marramendëse, por në thelbin e vet projekti është një projekt marramendës për nga impakti dhe për nga vlera që do të krijojë. Kështu që, duke ju falënderuar edhe njëherë të gjithë vendimmarrësit dhe skuadrën e  kompanisë 4iG si dhe duke pasur besim të plotë se pala jonë do të jetë në lartësinë e duhur në të gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe pastaj të jetësimit të tij përmes vënies në funksion të kësaj autostrade.

Jam i bindur që ky projekt shënon një gur kilometrik në rrugën tonë drejt Shqipërisë 2030 dhe pa diskutim do të pasohet nga të tjerë projekte të përmasave dhe ambicies së këtij niveli, që tanimë përkon me nivelin e ri në të cilin ndodhet vendi ynë”, ka thënë Rama.