“Do rikthej dinjitetin tim”, Indrit Fortuzi: S’jam as i pari, as i fundit që lë 2 mln euro në bixhoz

Në intervistën për “Exclusive”, me gazetarin Endi Tufa, ish-futbollisti, Indrit Fortuzi tregon arsyet e kthimit të tij në Shqipëri pas thuajse një dekade dhe gjithashtu varësinë e tij ndaj bixhozit dhe lojërave të fatit.

Në vitin 2015 ai u zhduk bashke me gruan, pasi la ne bixhoz 2 milione euro. Sot ja justifikimi i Fortuzit:

“Arsyeja që u ktheva dhe nuk erdha më përpara ishte sepse doja t’i mbaroja komplet hallet e mija. Nuk jam kthyer për t’u kthyer në Shqipëri, për të qëndruar të rifilluar jetën, për të gjetur një punë, por jam kthyer thjeshtë për të vënë atë dinjitetin tim…të paktën njerëzit e sportit të mos e kenë më problem të ma përmendin emrin apo për të diskutuar për mua. Secili mund të bëjë çdo gjë në jetën e tij private, me të mirat dhe të këqijat e veta.

Unë fillova duke parë zhgënjime dhe në momentin që u largova nga puna si kryetar i njësisë bashkiake, kudo që trokisje dyert ishin të mbyllura, nuk ishe me ai që tu hapnin dyert, ishte një moment që thoja pse ky ndryshim dhe aty kupton që ke bërë diçka vetë, je ti ai që je fajtori. Sa më shpejt ta kuptosh aq më mirë është sepse gjërat zvarriten dhe shkojnë në një pikë kur nuk shpëton dot më. Unë s’jam as i pari as i fundit, por janë momente të vështira dhe ka njerëz që nuk i kanë kaluar, por pata fatin edhe familjen

Kur them veset, nuk është vetëm një, unë kisha bixhozin, të tjerët kanë drogën, pijen domethënë kanë vese sepse është perfekt, por çdo njeri duhet të ketë forcë tek vetja, të jetë bashkë me familjen i kalon çdo gjë, por do edhe shumë vullnet. Është e vështirë sepse e mendoj që po të kisha qenë në Shqipëri do ta kaloj apo nuk do ta kaloja, sepse mbase largimi mund të më ketë dhënë edhe më tepër forcë, reagim i njerëzve mund të më ketë dhënë më tepër forcë, që më kanë prekur më tepër në sedër. Kam pësuar disa zhgënjime që thua si ka mundësi pasi këtyre njerëzve i kam bërë vetëm mirë, por megjithatë më kanë bërë mirë. Disa herë them që do t’i harroj, por e kthej kokën pas e kthej kokën pas dhe kujtoj shumë gjëra.”

Po përse futbollistët tërhiqen nga lojërat e fatit? Në të gjithë botën shoqata dhe agjenci të ndryshme, merren me studime se përse ndodh kështu, përse shumica e njerëzve që merren me bixhozin janë sportistë apo futbollistë. Njëra nga shkaqet kryesore është adrenalina: E ngjashme me emocionin e shënimit të një gol ose për të fituar një ndeshje, bixhozi ofron një rritje të adrenalinës që shumë atletë, përfshirë futbollistët, shpesh e shohin joshës.

Koha e lirë është një tjetër arsye: Mes stërvitjeve intensive dhe ndeshjeve, ka një periudha inercie të ngadaltë që disa futbollistë i mbushin me aktivitete të tilla si bixhozi, duke shijuar emocionet që ofrojnë. Dhe shkaku tjetër është pasuria: shumë futbollistë fitojnë paga të mëdha, gjë që siguron burimet financiare për t’u përfshirë në lojëra të fatit me aksione të larta.

“Kur them bixhozi, ishte puna e basteve, njerëz që merren me sport, sepse unë kam luajtur edhe në Greqi edhe këtu. Atje të gjithë shokët e ekipit vinin baste, sepse ti mendon që është fusha jote, ti merr vesh më shumë, njihesh, adrenalinën që ka kur shef edhe një ndeshje futbollit, këto nuk janë për justifikim, por është diçka që njerëzit merren. Por çdo gjë është kur kalon masën, kur e kalon atë çdo gjë bëhet sëmundje dhe ti atëherë harron çdo lloj gjëje dhe mendon vetëm për atë. Është një lloj adrenaline, ke pasur Bufonin që në atë kohë vinte lloj-lloj bastesh edhe në tenis e sporte të tjera…unë jam marrë vetëm me futbollin. Por jo me skuadrat që kam luajtur, Tirana dhe skuadra të tjera si kam vënë asnjëherë.

Mbase edhe ky mund të jetë një shembull sepse secili mund të ketë problemet e veta, rrëzohet, mund të rrëzohesh një herë dy herë, por e rëndësishme është të ngrihesh. Por ajo që mund të quhet pozitive është rikuperimi i vesit. Njeriu mund të largohet nga ato probleme, pasi vesi është problemi më i madh. Nëse ti e përfundon vesin, jeta normale rehabilitohet.”