Dy herë kampion Evrope, peshëngritësi ukrainas vdes nga sulmet ruse në moshën 30-vjeçare

Kampioni i dyfishtë ukrainas në Evropianin e Peshëngritjes, Oleksandr Pielieshenko u vra në luftimet kundër Rusisë, njoftoi të hënën federata ukrainase e peshëngritjes. Pielieshenko, 30 vjeç, fitoi medaljen e artë evropiane në 2016 dhe 2017, teksa  humbi një medalje në Lojërat Olimpike të Rios 2016, ku doli i katërti në kategorinë deri në 85 kg.

“Me pikëllim të madh duhet t’ju ​​themi se zemra e sportistit të madh ukrainas Oleksandr Pielieshenko ka pushuar së rrahuri”, njoftoi federata në një deklaratë.

Ai u vra të dielën, sipas federatës. Trajneri kombëtar i peshëngritjes së Ukrainës, Victor Slobodianiuk tha se Pielieshenko “vdiq si hero duke mbrojtur Ukrainën”.

Pielieshenko iu bashkua ushtrisë ukrainase në shkurt 2022 në fillimin e pushtimit rus, vuri në dukje Komiteti Olimpik i Ukrainës në mesazhin ngushëllues për sportisin kampion Evrope.