Dyshohet të jetë e përfshirë në një aferë korruptive, merret në pyetje eurodeputja greke

Eurodeputetja socialiste nga Greqia, Eva Kaili, një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, është marrë në pyetje në Bruksel lidhur me një rast të dyshuar korrupsioni.

Lajmin e bën të ditur AFP dhe gazeta belge Le Soir, që citojnë zyrën e prokurorit. Raportohet se zyrave të tre eurodeputetëve: Kaili dhe anëtarëve të grupit belg S&D Maria Arena dhe Marc Tarabella, u është vënë shiriti nga policia e Belgjikës.

Më herët gjatë ditës, në kryeqytetin belg u bënë katër arrestime lidhur me të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportojnë se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.

Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se ajo ishte “përjashtuar” nga anëtarësia e saj.

Kurse, zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro para në cash dhe se sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në bastisjen e së premtes.

“Për disa muaj, hetuesit e Policisë Gjyqësore Federale kanë dyshuar për një vend të Gjirit që ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian, kjo bëhet duke paguar shuma të mëdha parash ose duke u ofruar dhurata të mëdha palëve të treta me rëndësi të lartë politike dhe/ose pozicioni strategjik brenda Parlamentit Evropian”, thuhet në deklaratë.

Megjithëse në njoftim vendi i Gjirit nuk specifikohet, Le Soir raporton se bëhet fjalë për Katarin.

Katërshja e arrestuar nuk është identifikuar nga autoritetet belge, por ata besohet të jenë të gjithë shtetas italianë, duke përfshirë një drejtor të një OJQ-je të paidentifikuar; udhëheqësi i sindikatave Luca Visentini; ish-deputeti i S&D, Pier-Antonio Panzeri; dhe ish-asistentja parlamentare e Panzerit me lidhje me grupin S&D dhe partneri i Kailit.

44-vjeçarja greke ka qenë dikur moderatore televizive dhe është eurodeputete që nga viti 2014