Eksperti: 6 gra serbe po mbahen peng në Serbi, familjarët kanë humbur kontaktet

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi deklaroi se 6 gra serbe janë rrëmbyer në veri të Mitrovicës dhe dyshohet se po mbahen peng në vende të caktuara në territorin e Serbisë.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Elezi u shpreh se bashkëshortët e grave të rrëmbyera, nuk kanë pranuar të jenë pjesë e grupeve kriminale serbe.

“Ne gjithomonë i referohemi informacioneve që i sigurojmë nga burime të caktuara. Pse i quajmë rrëmbime? Për faktin se në bazë të këtyre informacioneve, janë pikërisht bashkëshortët e tyre të cilët nuk kanë pranuar që të veprojnë në grupe kriminale, të cilat në vazhdimësi po kanosin qytetarët dhe kanë ushtruar dhunë, shkëmbim zjarri ndaj EULEX-it, Policisë së Kosovës.

Ka pasur mundësi komunikimi nga burime tona me njerëz të caktuar, por nëse a janë të njëjtët që kanë dhënë informacion në Policinë e Kosovës, këtë nuk mund ta them. Deri më tani nuk janë kthyer dhe dyshohet që mbahen në vende të caktuara në territorin e Serbisë”, theksoi ai