Ekspozitë në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Petro Marko çelën sot ekspozitën “Petro Marko – 110-vjetori i lindjes”, me pjesëmarrjen e familjarëve të shkrimtarit, studiuesve, shkrimtarëve, përkthyesve, dashamirësve të kulturës etj.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, dhe drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, duke vlerësuar personalitetin e letrave shqipe, vunë theksin në rëndësinë e veprimtarive të tilla si “forma më e mirë për të kujtuar dhe përcjellë te brezat e rinj gjurmën dhe trashëgiminë e personaliteteve që përbëjnë panteonin e kulturës shqiptare”.

Veprimtarinë e përshëndetën edhe shkrimtarja Diana Çuli, studiuesi Behar Gjoka, si dhe vajza e shkrimtarit, Arianita Marko, të cilët ndanë me të pranishmit vlerësimet dhe kujtimet për shkrimtarin.

Petro Marko konsiderohet së një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur në botime me poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj. Botimet e para të krijimtarisë së tij nisim me gazetat dhe revistat e viteve ’30, si: “Illyria”, “Demokratia”, “ABC”, “Bota e re” apo “Shqipëri e re”, për të vijuar më pas në botimet e veprave të tij.