Emri i shqiptarëve në Albania Veneta

Në fillim të shekullit XVII, grupe të krishterësh nga zona e Shkodrës (fshatrat Brisk, Shestan, Larje dhe Pod, të Krajës) kishin kërkuar strehë në Kotorr, prej nga ish arkipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviç tani arqipeshkv në Zara dhe proveditori i përgjithshëm i Serenissima-s, konti Nicolò Erizzo, i ndihmuan të barten në një vend afër Zara-s, në Dalmaci, për të themeluar një vendbanim të ri, të cilin e pagëzuan Arbneshi (kroatisht Arbanasi)[1] por që përndryshe, për nder të kontit, u njoh edhe si Borgo Erizzo. Grupi i parë prej 16 familjesh, gjithsej 121 vetë, u shpërngul në gusht të vitit 1726; një grup i dytë, prej 7 familjesh, gjithsej 71 vetë, mbërritën në 1727. Grupi i tretë, më i madhi, i vitit 1733, përfshinte 28 familje me gjithsej 150 vetë.

Ky komunitet ka mbijetuar dhe flet shqip sot e kësaj dite. Prof. Tullio Erber i pat kushtuar historisë së këtij ngulimi një studim monografik me titullin La colonia albanese di Borgo Erizzo presso Zara, cenni storici, të botuar në Dubrovnik në 1883[2]. Të dhënat e mëposhtme i kam nxjerrë kryesisht nga ky studim.

Sipas Erber-it, shqiptarët katolikë të Shqipërisë Veri-Perëndimore, të ndodhur nën persekutimin sistematik të osmanëve, kërkonin dhe shpesh gjenin mbështetjen e Venedikut, ndonjëherë edhe për t’u larguar nga tokat e tyre (tek Idriz Ajeti kam gjetur argumentin se shtysë e shpërnguljes mund të ketë qenë edhe indiferenca e autoriteteve osmane ndaj epidemisë së murtajës në atë periudhë, përkundrejt masave relativisht të suksesshme të Venedikut, për ta ndaluar sëmundjen). Siç mund të supozohet, edhe Venediku i shfrytëzonte popullsitë katolike të Shqipërisë së veriut për synimet e veta politike kundër Perandorisë Osmane.

Gjithnjë sipas Erberit, dikur në mes të shekullit XVII, një kapiten i Venedikut, Nicolo Chechlina, me kombësi “shqiptare”, që t’i provonte qeverisë venedikase besnikërinë e vet, kish vendosur të shpërngulte nga Shqipëria osmane (“Albania turca”) pesëdhjetë familje, gjithsej 400 vetë, për t’i çuar në Istria nën mbrojtjen e Republikës; madje kish gjetur në Istria edhe një vend ku t’i vendoste. Një nga kërkesat që ia bënte Chechlina Proveditorit të përgjithshëm në Dalmaci dhe Shqipëri, Giovanni Antonio Zen, ishte që të ardhurve “tu njiheshin të njëjtat privilegje me ato që gëzonin fshatarët e Zhupës”; dhe “t’u lejohej të ushtronin ritin grek-ortodoks të cilit i përkisnin të gjithë dhe t’u lejohej të merrnin me vete një ose më shumë priftërinj për të kryer shërbesat hyjnore në këtë rit”. Kapiten Cechlina zotohej pastaj që në të ardhmen të sillte, në territoret e kontrolluara nga Republika, nënshtetas të tjerë turq.

Në atë kohë, sqaron Erber-i, venedikasit quanin “Dalmazia” atë pjesë të “nostra provincia” që shtrihej deri në Raguzë; ndërsa Gryka e Kotorrit shihej si pjesë e “Albania veneta”[3], për ç’arsye – shtoj unë, A.V. – edhe banorët e atjeshëm mund të jenë quajtur lirisht Albanesi thjesht për nga prejardhja gjeografike. Prandaj, vëren Erber-i, na duhet të përcaktojmë se cilës “etni”[4] i përkisnin të ikurit, duke pasur parasysh se këta i njihnin privilegjet e Zhupës, ishin të fesë greke-ortodokse dhe subjekte të Turqisë; prandaj, supozon ai, ata duhet të kenë qenë të “kombit sllav” (di nazione slava), me origjinë nga malet kufitare me Zhupën[5]. Këtë hipotezë, vazhdon Erber-i, e konfirmon prania e banorëve të fesë greke-ortodokse në fshatin Peroj, në Istria, të cilët deri pak kohë më parë visheshin si malazezët (“portavano… il vestito montenegrino”); mes tyre mund të ketë pasur, megjithatë, edhe shqiptarë katolikë, madje edhe grekë ortodoksë nga Qiproja. Që mes këtyre kish edhe shqiptarë, duket sikur e konfirmon tërthorazi një lajmërim i Matteo Bartoli-t (Le reliquie del dialetto albanese dell’Istria) për një tekst të transkriptuar nga ai dialekt.

Gjatë shekullit XVII, vazhdon Erber-i, Senati i Venedikut ishte njoftuar që shumë shqiptarë po emigronin, me rrugë detare, drejt Mbretërisë së Napolit, për t’u vendosur atje dhe për t’u rekrutuar në ushtrinë mbretërore si ushtarë. Prandaj, vëren ai, në maj të vitit 1675, Proveditori i Përgjithshëm Pietro Civran dha urdhër që të dërgohej një flotilje në jug të Adriatikut, për t’i kontrolluar anijet që kalonin atje dhe, nëse do të gjendeshin ikanakë (“fuggiaschi”) që synonin të kalonin në shërbim të Mbretit të Napolit, t’i shtrëngonin të ktheheshin mbrapsht, dhe t’i zbarkonin në plazhet më të volitshme, që këta të ktheheshin në shtëpi (“dovevano constringerli al ritorno, facendoli sbarcare sulle spiagge più comode, per ridursi alle case loro.”)

Megjithatë, në fund të majit, ambasadori i Vendikut në Napoli i pat komunikuar qeverisë së vet mbërritjen e refugjatëve shqiptarë në atë mbretëri, për t’u rekrutuar në forcat ushtarake (“nelle milizie”), dhe senati venedikas dha urdhër që “të hetohej numri i të ardhurve dhe kush e kish nxitur këtë”, duke shtuar se ai (Senati) “gjithnjë kish pasur synim të ruante në shërbimin e vet atë komb të mirëdashur (“bene affetta”) dhe të kujdesej që ky të mos transferohej gjetiu.”

Ky urdhër u rimor pastaj nga një dekret i ri, meqë ish marrë vesh, ndërkohë, se shumë shqiptarë kishin ndërmend të udhëtonin për në Trieste, prej nga të kalonin në Mbretërinë e Napolit. Por Proveditori Civran kreu hetimet e duhura dhe lajmëroi Senatin se lajmet për shqiptarët e kaluar në shërbim të Mbretërisë së Napolit ishin pa bazë.

Pyet Erber-i: nga vinin këta të ikur dhe ishin vërtet shqiptarë, duke pasur parasysh se shumë prej tyre vinin nga Gryka e Kotorrit[6] dhe ishin “bocchesi sudditi veneti”)?

Banorët e zonave përreth Bunës kishin dëgjuar, në atë kohë, se lufta mes Venedikut dhe Turqisë nuk do të vononte, çfarë i pat bërë t’i kërkonin Proveditorit Giustino da Riva që t’i ndihmonte t’i shpëtonin zgjedhës turke dhe të strehoheshin në territorin e Republikës. I njëjti Proveditor ishte lajmëruar, në 20 shtator 1707, se fisi malësor i Kelmendasve (i Clementi) kishin ngritur krye kundër turqve[7]. Në relazionin përkatës, Da Riva tha se do të përpiqej t’i qetësonte banorët e krishterë shqiptarë dhe sllavë të zonave kufitare me Albania Veneta, meqë prania e tyre atje ishte “në interes publik [të Venedikut]”, duke u premtuar atyre mbrojtje dhe mbështetje edhe ekonomike.

Pa u zgjatur në hollësi të tjera të vyera, që ofron Erber-i, po dua të ve në dukje disa pak konsiderata në bazë të sa u soll më lart, dhe pikërisht:

Që në shekujt XVI-XVII, zonat e kontrolluara nga Venediku në rripin bregdetar të Adriatikut (në vija të trasha, midis Raguzës dhe Ulqinit) njiheshin akoma si Albania Veneta; dhe që këtej duket logjike që banorët e tyre mund të quheshin sporadikisht “albanesi”, thjesht për nga përkatësia – pavarësisht nga nëse të etnisë shqiptare, sllave (malazeze a kroate), dalmate ase italiane.[8]

Që ishte në interesin strategjik të Venedikut që kjo popullsi, përfshi edhe atë kufitare me trojet e Albania Veneta, edhe të ndihej e mbrojtur kundër kërcënimit osman, edhe të mos lejohej të largohej në masë, sidomos drejt Mbretërisë së Napolit; meqë, mund të supozohet, ajo mund të përdorej në rast të një lufte me Perandorinë Osmane (nuk mund të them asgjë për marrëdhëniet e Venedikut me Napolin, në atë periudhë).

Që të paktën një pjesë e atyre që lejoheshin të iknin nga Albania Veneta, ose nëpërmjet porteve të saj, për t’u vendosur gjetiu në trojet e Republikës ishin sllavë etnikë (malazezë)[9], por që quheshin albanesi qoftë për shkak se vinin nga Albania Veneta, qoftë sepse ashtu mbase do të përfitonin më shumë simpati nga autoritetet. Nëse të shpërngulurit në Istria e prezantonin veten si shqiptarë, por ishin sllavë-malazezë të ritit grek-ortodoks, atëherë nuk mund të përjashtohet që emri arbënesh (arbanasi) të jetë përdorur prej tyre edhe si endonim; në kuptimin “ne vijmë nga Albania Veneta”.

Që kjo popullsi jo-italiane e Albania Veneta, shqiptarë a sllavë qofshin, ka pasur lidhje të forta familjare, fisnore, kulturore, tregtare etj. edhe me popullsinë katolike në trojet e Perandorisë Osmane që kufizonin me të, në mos edhe me popullsinë myslimane të po atyre trojeve.

Tani, gjithnjë nëse albanesi, shqip arbnesh, sllavisht arbanas, përdorej sado informalisht në ato kohë për të identifikuar banorët jo-venecianë të Albania Veneta, kjo gjykoj se hap një argument të ri, në përpjekjet për të arsyetuar rreth ndërrimit të emrit etnik të shqiptarëve; aq më tepër që mu në atë kohë, ose në fillim të shekullit XVIII, dalin në dokumente edhe okurrencat e para të emrit etnik shqiptar dhe luhatjet mes shqiptar nga njëra anë, arbnesh dhe arbënor nga ana tjetër (si te Da Lecce). Kujtoj këtu se ishte i njëjti prelat, arqipeshkvi i Tivarit Vinçenc Zmajeviç, drejtues i punimeve të Kuvendit të Arbënit dhe hartues i (ku përmendet edhe emri shqiptar si endonim), që ndihmoi më pas shqiptarët (arbneshët) e Krajës të shpërngulen në zonën e Zara-s, në Dalmaci.

Me fjalë të tjera – për arsye kryesisht politike, të paktën në trojet e Albania Veneta, emri albanese me gjasë po fillonte të përdorej për të shënjuar jo vetëm shqiptarin katolik, por edhe të tjerë bocchesi, banorë të bregdetit të asaj eksklave, përfshi këtu edhe sllavë; gjithë në një kohë kur Republika ishte e detyruar të ofronte trajtim të diferencuar midis gli albanesi shtetas të vet, nga gli albanesi të hinterlandit, që – të paktën ata katolikë – edhe ata prisnin prej saj vëmendje dhe mbrojtje nga osmanët. Venediku mund të toleronte largime grupesh të vogla, si ato të Arbneshit në Zara, por përgjithësisht ishte kundër shpërnguljes masive të një popullsie që, përndryshe, i shërbente si buffer në kufijtë me Perandorinë Osmane dhe do t’i hynte shumë në punë, në rast lufte.

Të ketë qenë kjo një faktor, edhe në luhatjet mes përdorimit të termit etnik arbënuer/arbënesh, përkatësisht shqiptar, në tekstet e Da Lecce-s (parathëniet e veprave të tij dhe Fjalorin)?[10] Da Lecce ishte klerik katolik dhe u bindej orientimeve të Vatikanit; të cilat jo gjithnjë përkonin me interesat e Venedikut në Adriatik – sa u përket shqiptarëve. Në parim, mund të përfytyrohet një lëkundje në kuptimin e termit arbënuer/arbënesh, në trojet katolike-bregdetare të Shqipërisë së Veriut – midis “shtetas i Venedikut si banor i Albania Veneta” dhe “shqiptar etnik”; dhe në ato rrethana kur edhe sllavët e zonës filluan të identifikoheshin si “albanesi”, për të përfituar më mirë nga predisponimi miqësor i Serenissima-s, mund të mendohet se filloi të ndihet nevoja për një emër tjetër etnik, të paktën fillimisht në atë zonë; duke u përceptuar ai i vjetri si tashmë i lidhur më ngushtë se ç’mund të tolerohej, me Venedikun.[11]

Natyrisht, anëshkrimi më sipër, është vetëm një hipotezë e skicuar shpejt, madje e pagatuar mirë; e hedh këtu për të kontribuar në diskutimin e këtyre ditëve, me shpresë se do të tërheqë edhe vëmendjen e ndonjë studiuesi më kompetent se unë, specialist për Albania Veneta gjatë shekujve XVI-XVIII. M’i bëni kabull gabimet, kam dalë nga fusha ime (pasaktësitë në lexim dhe interpretim lutem m’i vini në dukje më poshtë) dhe mbase edhe jam ngutur, duke ia lejuar vetes një prezantim që nuk është ai optimali – por tema është tejet e nxehtë për revistën, në këtë moment.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Antica mappa veneziana delle Bocche di Cattaro, Di Giorgio Roncolato – Opera di Vincenzo Maria Coronelli (Venezia 1648) – Opera propria, CC BY-SA 3.0.

[1] Ka një traditë të përhapur të emërtimit të ngulimeve shqiptare anembanë Europës me këtë emër: veç Arbneshit në Zara, ka një Arbanas në Bullgari. David Luka ka shkruar për këtë temë, por artikullin e tij nuk e kam në dorë.

[2] Ata që futen në Google nga një IP në SHBA mund ta lexojnë librin falas në Google Books. Pjesë të përkthyera nga monografia janë botuar te revista Përpjekja, no. 9, 1996.

[3] Në monografinë e Erber-it, Albania Veneta shënjon një territor (eksklavë) që i përgjigjet, pak a shumë, bregdetit adriatik të Malit të Zi deri në Ulqin, dhe që u administrua nga Republika e Venedikut më parë me emrin Bocche di Cattaro dhe më pas si njësi administrative autonome, nën një Provveditore generale e ordinario di Dalmazia e Albania, me seli në Zarë. Ky territor u kontrollua gjithnjë nga Republika, nga viti 1420 deri në 1797 (Tivari dhe Ulqini ranë në duart e osmanëve në 1571).

[4] Erber-i përdor fjalën nazione; sot do të ishte më korrekt ta përkthenim këtë si etni, për ta dalluar nga kombi.

[5] Malësorët malazezë të etnisë sllave dhe të fesë ortodokse gëzonin autonomi ndaj osmanëve dhe shpesh hynin në aleanca me Republikën e Venedikut.

[6] Këtu dhe më poshtë, Gryka e Kotorrit duhet lexuar si emri i trojeve të kontrolluara nga Venediku (Bocche di Catarro) në bregdetin e Malit të Zi, jo si emër gjeografik.

[7] Te Çabej lexoj që dy katundet dikur shqiptare në Sirmie, Nikinci dhe Hrkovci, në truall të ish-perandorisë austro-hungareze, u themeluan nga refugjatë kelmendas që kishin ngritur krye, kundër Turqisë dhe në favor të Austrisë, në 1737, dhe që pastaj ishin arratisur në 1740, për t’u shpëtuar represaljeve osmane.

[8] Sipas historianit dalmat Luigi Paulucci, popullsia e Albania Veneta fliste kryesisht venezianisht (la lingua veneta), një dialekt i italishtes, por në zonat e brendshme më shumë se gjysma e popullsisë flishte sllavisht, ndërsa afër kufirit me Shqipërinë (osmane) kish komunitete të mëdha që flisnin shqip. Ulqini ishte shqiptar përgjysmë, një çerek venecian dhe një çerek sllav.

[9] Teorikisht, nuk mund të përjashtojmë këtu edhe popullsi etnike shqiptare të fesë ortodokse që jetonin në ato zona.

[10] Shih për këtë bibliografinë e ofruar nga M. Karagjozi-Kore, tek eseja Edhe njëherë për etnonimin “shqiptar” dhe fjalën “shqip”, botuar në Peizazhe të fjalës në 1 gusht 2020.

[11] Në një koment tek eseja e M. Karagjozit përmendur më lart, Dies Irae shkroi sa vijon: “Mjedisi shqiptar më i favorshëm për të prodhuar/ndryshuar një etnonim, për mendimin tim, kanë qenë malet e Gegërisë, sipas modelit që etnonimit që vjen nga reformimi socio-ushtarak, i cili strukturon një hegjemoni në një territor të caktuar.” Këtë ai e lidh me “rregullimin e territorit katolik” pas pushtimit turk. Të dyja këto teza përkojnë me hipotezën time më lart, sidomos po të kemi parasysh që ndërrimi i emrit nga arbnesh/arbnor në shqiptar fillon të përvijohet në kontekstin e një koncili katolik (Kuvendi i Arbrit), që synonte riorganizimin e kishës katolike në trojet shqiptare, për t’i bërë ballë më mirë islamizimit të vazhduar të popullsisë; situata sociale dhe politike përligj edhe përkthimin e atyre akteve në shqip.