“Eni milioneri”- Konflikti i pasurisë, shkak për vrasjen e Pëllumb Metës? Mbishkrimi në murin e kasolles ku fëmijët groposën babanë pasi e vranë

Ngjarja tronditëse në Shënavlash të Durrësit ka shumë pikëpyetje të cilave nuk iu është dhënë ende përgjigjie.

Një tjetër element që të bën përshtypje në skenën e krimit, sipër gropës së hapur nga fëmijët për të groposur babanë, në murin e kasolles, ishte mbishkrimi ‘Eni milioneri, 1 milion dollarë, milioneri!’.

Prokuroria po vijon hetimet lidhur me vrasjen e Pëllumb Metës nga tre fëmijët në Durrës. Një pistë e re është hetimi pasuror i pasurive të paluajtshme.

Konflikti për pronën, doli në pah edhe gjatë deklarimit në gjykatë të Hygertës, se e ëma i druhej divorcit për shkak të përgjysmimit të pasurisë. Prokuroria e Durrësit ka vendosur t’i kërkojë informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për pronat e paluajtshme të Pëllumb Metës.

Konfliktet për shkak të parave mes Hysenit dhe Pëllumbit ka qenë e vazhdueshme. I ati e mbështeti djalin e madh të shkonte në Angli, ku sipas bashkëfshatarëve, kishte paguar 13 mijë euro për ta dërguar me gomone, por nuk i eci. Pas kthimit në shtëpi, shkoi në Itali ku tentoi të punojë, por pa rezultat. U kthye në fund të janarit nga Italia, duke deklaruar se nuk i kishte ecur puna.