Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, në Kuvendin e Turqisë është pritur nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka shkruar për këtë takim në profilin e tij në “Facebook”. “Në Kuvendin e Madh Turk, u mirëpritëm ngrohtësisht nga miku i madh i shqiptarëve, Presidenti Rexhep Taip Erdogan. Mikpritja, modestia, afërsia, janë disa nga tiparet që e karakterizojnë këtë lider të përmasave botërore”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka shkruar se Erdogan u ka thënë deputetëve kosovarë se Turqia do të vazhdojë të mbështesë popullin e Kosovës në të gjitha fushat.
“Turqia është partnere strategjike e cila ka mbështetur pa rezervë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Në vazhdën e zhvillimeve të fundit, roli i Presidentit Erdogan është shumë i rëndësishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka shkruar Lushtaku.