Ervis Martinaj, gjallë apo vdekur?! Befason eksperti: Ka transformuar pamjen, me lekët që kishte…

Ditën e sotme GJKKO kaloi për gjykim dosjen e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani dhe 19 të akuzuarve të tjerë për vepra të ndryshme penale. Në emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv eksperti i sigurisë Fatjon Softa dhe gazetari Sokol Dema diskutuan për dosjen “Plumbi i Artë” ku përmendet edhe emri i Ervis Martinajt, “mbretit” të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022.

Lidhur me zhdukjen e Martinajt, eksperti i sigurisë Softa, tha se ka shumë raste në botë kur persona të një niveli të tillë që kanë mundësi të mëdha financiare, transformojnë pamjen e jashtme edhe me anë të operacioneve plastike dhe shfaqen pas shumë vitesh.

“Ka shumë raste në botë ku persona të zhdukur të atij niveli janë shfaqur pas shumë vitesh dhe për aq kohë sa nuk ka një kufomë, kjo mundësi mbetet e tillë. Mund të jetë brenda apo jashtë territorit dhe mundësia e transformimit të pamjes së jashtme është. Rasti i Martinajt është i veçantë për shkak të vlerave financiare dhe njohjeve që kishte”- tha Softa.