Eurodeputetët kritikojnë Borrell-Lajçak: Bëni dallimin agresor-viktimë mes Kosovës e Serbisë

Dy deputetë austriak të parlamentit evropian kritikuan ashpër BE-në dhe veçanërisht dyshen Borrell-Lajçak pasi nuk po bëjnë dallimin mes viktimës dhe agresorit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu lëshuan një thirrje ndaj 5 vendeve mos njohëse që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Është dashur shumë kohë për të pasur udhëtimin pa viza dhe nuk duhet të zgjasë aq shumë dhe anëtarësimi i Kosovës në BE, ajo ka standarde të larta për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe liria fetare është shumë moderne në kushtetutë dhe kështu komisioner, ju lutemi mos flisni më për të dyja palët kur flisni për dialogun, unë do t’i kërkoja gjithashtu përfaqësuesit të lartë Borrell dhe gjithashtu Lajçakut kur flasim për Kosovën dhe Serbinë të shohin se Kosova është në rrugën drejt integrimit europian.”

LUKAS MANDL, EURODEPUTET NGA AUSTRIA

“Një marrëveshje që nuk është nënshkruar nuk është as një marrëveshje e suksesshme dhe as e detyrueshme. Presidenti Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe si reagim ndaj kësaj refuzoi ta nënshkruajë edhe kryeministri Kurti, dhe tashmë e shohim rezistencën dhe bllokimin e Serbisë kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Por dua gjithashtu të mbështes thirrjen e këtij raporti ndaj shteteve mos njohëse brenda Bashkimit Europian, ndaj Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Greqisë. Kosova është shtet i pavarur prej më shumë se 10 vitesh. Refuzimi juaj për të njohur bazohet vetëm në çështjet e brendshme. Kështu që unë ju bëj thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj, ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, njiheni Kosovën si shtet i pavarur që është.”

THOMAS WAITZ, EURODEPUTET NGA AUSTRIA