Euronews: Vizat, ndër sanksionet ndaj Kosovës nëse Kurti s’u bindet SHBA-së e BE-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke konsideruar dy faza me masa ndaj Kosovës nëse nuk u bindet kërkesave të tyre për shtensionim të situatës në veri, përfshirë sanksione ndaj kryeministrit Albin Kurtit e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, sipas një dokumenti të brendshëm qeveritar amerikan, ka raportuar “Euronews Albania”.Faza e parë e sanksioneve do të parashihte ngrirje të fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e pranimit në Këshill të Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të perëndimorëve.

Faza e dytë do të parashihte që aleatët e Kosovës të ndërmarrin qasje pasive ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, si dhe riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare e reduktim serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtim të Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Po ashtu është paralajmëruar se mund të ketë sanksione ndaj Kurtit e Sveçlës. Të dy mund të shpallen “non-grata me arsyetimin se janë kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një krizë tjetër… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, si një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

Aty thuhet se “askush nuk priste që Qeveria e Kosovës do të ishte ajo, që me veprimet e veta, do të promovonte pasiguri e do të nxiste krizë dhe konflikte”.

Sipas tekstit, komuniteti perëndimor ka humbur durimin dhe kërkon “përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, nëse është apo jo partnere e bashkësisë transatlantike”.

Aty thuhet se të qenit partner nënkupton përmbushje e pakusht e të gjitha obligimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”.

Dokumenti ka kritikuar Qeverinë dhe opozitën. “Kanë dështuar të kuptojnë thellësisht seriozitetin e situatës dhe rrezikun real për Kosovën”, thuhet në të, sipas “Euronews Albania”. Për opozitën është kërkuar qëndrim i qartë dhe deklarativ nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë nxit mosbesim dhe oportunizëm”, thuhet në dokument.

Në fund të tekstit thuhet se “nëse Kosova dështon t’i përmbushë obligimet, e rrezikon të ardhmen e vet”.

I pyetur për këtë raportim, ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media të mërkurën ka thënë se s’është në dijeni për listë të tillë e “as për kredibilitetin e listave të tilla”.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se “nuk komentojnë rrjedhjet e tilla e në veçanti ato që thuhet se janë dokumente të supozuara të një vendi të tretë në lidhje me veprimet e supozuara të BE-së”.

KOHA i ka dërguar pyetje Ambasadës së Amerikës në Kosovë për çështjen në fjalë. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.