Fotografi të mercenarëve rusë që luftuan në Kosovë, po shpërndahen me të madhe në Telegram

Fotografi të mercenarëve rusë që kanë marrë pjesë në luftën në Kosovë janë shpërndarë të mërkurën në Telegram. Këta mercenarë që dikur u paraqitën si vullnetarë dhe morën pjesë në forcat paraushtarake dhe në forcat e tjera serbe në Kosovë, Serbi dhe Rusi, lavdërohen si heronj ndërsa bota i konsideron kriminelë lufte.

Kanali propagandistik Telegram i mercenarit serb Dejan Beric ka publikuar së fundmi fotografi të kriminelit rus të luftës Antoli Lebed, i njohur më mirë si Tolya, duke pozuar me snajper në majë të Pashtrikut.

Lebed është i njohur për mizorinë dhe pamëshirshmërinë e tij gjatë luftimeve në Çeçeni dhe zona të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Gjatë luftës së Kosovës, Lebed mbështeti forcat serbe si mercenar.

Angazhimi i Lebedit si mercenar, megjithatë, shkeli ligjet ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e mercenarëve në konfliktet e armatosura. Përfshirja e Lebedit në konfliktet në Afganistan, Çeçeni, Dagestan dhe Gjeorgji tregon qartë statusin e tij si mercenar rus.

Dihet mirë se në Rusi kriminelët nderohen dhe vendosen në rangun e parë të pushtetit dhe Lebed u nderua nga Vladimir Putin dhe Dmitry Medvedev.