Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit për dinarin

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës të premten ka kërkuar pezullim të menjëhershëm të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës me të cilin ndalohet përdorimi i dinarit.

Nëpërmjet një reagimin, Franca ka thënë se vendimi i BQK-së do të ndikojë në jetën e përditshme të komunitetit serb.

“Franca është e shqetësuar nga vendimi i lëshuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që kufizon të gjitha transaksionet me para të gatshme vetëm në euro, duke filluar nga 1 shkurti 2024. Ky vendim, i cili u vendos në mënyrë të nxituar dhe të paplanifikuar, do të ndikojë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë, i cili varet shumë nga pagesat nga Serbia në dinarë serbë. Duke pasur parasysh mungesën e zgjidhjeve alternative në këtë kohë, Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të kësaj mase për të mundësuar periudhë të mjaftueshme tranzicioni”, thuhet në reagimin e shtetit të fuqishëm evropian.

Franca i ka bërë thirrje institucioneve kosovare që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje përmes negociatave në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.