Gazetarja tregon pse u bënë bashkë Martinaj dhe Ndoka: Do të eliminonin armiqtë e përbashkët

Gazetarja Glidona Daçi ka deklaruar në Euronews Albanania ka zbërthyer detaja nga Operacioni i SPAK, ku tha se grupi i Ervis Martinaj, bashkëpunoi me grupin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka për të goditur kundërshtarët e tyre respektivisht Leonard Duka dhe Durim Bami.

Duka ishte armiku i Martinaj pas konflikteve për lojërat e fatit, ndërkohë që Ndoka dyshonte se Durim Bami ka marrë pjesë në eliminimin e të vëllait, ndaj sipas gazetares ai kërkonte ta eliminonte.

“Ajo që bie në sy është bashkëpunimi i ish-grupit të Ervis Martinaj dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka. Bashkëpunimi u bë për të goditur rivalët. Por kush janë rivalët? Durim Bami dhe Leonard Duka. Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë qenë miq shumë të ngushtë, u përplasën për çështjen e lojërave të fatit duke u kthyer në armiq të përbetuar. Kjo luftë bëri që të vriteshin të gjithë miqtë e Ervis Martinaj dhe të zhdukej pa lënë gjurmë ky i fundit, ku nuk kemi një njoftim zyrtar se çfarë ka ndodhur me të. Në një moment aleancës Martinaj, Ndoka i bashkohet dhe Emiljano Shullazi dhe Avdylajt e Shijakut. Nga ana tjetër kemi aleancën e Leonard Dukës, Fatmir Hysenit dhe Durim Bamit. Kjo aleancë e grupeve kriminale u bë për të kryer eliminimin e njëri-tjetrit. Arben Ndoka ishte i interesuar të eiminonte Durim Bamin, pasi jo zyrtarisht ai ka qenë i përfolur për vrasjen e vëllait të tij. Nga ana tjetër kemi përplasjen mes Durim Bamit dhe Mariklen Hakës, ku pasi kanë bashkëpunuar tani janë prishur me njëri tjerin”, tha gazetarja.