Disa zona në Gjermani janë paralajmëruar sot për një mot të ashpër, për shkak të kushteve të rrezikshme të motit të acartë, që goditi pjesë të mëdha të vendit në fillim të javës, nën ndikimin e temperaturave nën zero.
“Operacionet në aeroportin më të madh të Gjermanisë janë ndërprerë, duke shkaktuar anulime dhe vonesa në Frankfurt”, tha sot operatori i objektit.
“Rreth 180 nga 1.100 fluturime të planifikuara sot, janë anuluar”, sipas një zëdhënësi të aeroportit.
“Operacionet nuk ishin ndalur plotësisht, por aktualisht u lejuan të ulen më pak aeroplanë se zakonisht, pasi pista veri-perëndimore e aeroportit u mbyll në mëngjes”, tha zëdhënësi.
“Rrjeti hekurudhor i Gjermanisë gjithashtu u ndërpre sot për disa orë”, tha Deutsche Bahn.
Më vonë gjatë ditës, operatori hekurudhor postoi në Twitter se trenat në distanca të gjata po udhëtonin përsëri me shpejtësi të plotë.
Pati disa aksidente automobilistike në të gjithë vendin, duke përfshirë një autobus i cili u përplas me një pemë pranë Frankfurtit pasi doli nga një rrugë e rrëshqitshme.
“Vetëm në qytetin verior të Hamburgut, ka pasur më shumë se 200 aksidente rrugore sot në mëngjes”, sipas brigadës së zjarrfikësve.
Si masë paraprake, shumë shkolla, tregje të produkteve për Krishtlindje dhe kopshte zoologjike u mbyllën në të gjithë vendin.
Në rajonin jugor të Baden-Württemberg, i goditur tashmë nga i ftohti ekstrem javën e kaluar, priten stuhi të tjera.