Gjykata e urdhëron “Burdushin” të shkojë në burg për vuajtjen e dënimit prej më shumë se 4 vjet burgim

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, nuk ka shkuar ende në vuajtje të dënimit me burgim, pasi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2023, ishte dënuar me dënim unik prej 4 vite e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, e të cilin dënim në qershor e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 21 gusht 2023, “Burdushin” duhet që më 18 shtator 2023, deri në orën 12 të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Republikës së Kosovës, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, për të filluar mbajtjen e dënimit me burgim.

Aty thuhet se nëse i dënuari nuk vepron sipas urdhëresës, përkatësisht nëse në ditën e caktuar nuk paraqitet në Institucionin për mbajtjen e dënimit, gjykata do të lëshojë urdhëresë për ndalim dhe dërgim me forcë për mbajtjen e vuajtjes së dënimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se ende nuk kanë pranuar ndonjë dëshmi nëse urdhëresa e lëshuar nga gjykata është pranuar nga “Burdushi”.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga Zyra për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të gjykatës, jemi informuar se ka filluar procedura e ekzekutimit të dënimit me burgim për të dënuarin H.P. Të dënuarit H.P i është dërguar nga gjykata urdhëresa që të lajmërohet në institucionin për mbajtjen e dënimit me burgim, mirëpo gjykata ende nuk ka dëshmi se është pranuar urdhëresa nga i njëjti”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Gjithashtu në përgjigjen e gjykatës, thuhet se i njëjti nuk ka bërë ende ndonjë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burg.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar e së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar, aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 e deri më 26 korrik 2019, në Prizren, i akuzuari Hysri Peqani-Burdushi, ka mjekuar persona të ndryshëm anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, e ka bërë ndonëse nuk kishte kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse.

Sipas Prokurorisë, Peqani e kishte bërë një gjë të tillë me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare , ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme, raporton Betimi për Drejtësi.