Ish-udhëheqësi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, dezinformon edhe për Brukselin

Në portalin propagandistik rus, i vetmi që operon lirshëm në gjithë Evropën dhe botën perëndimore “Russia Today Balkan” me seli në Beograd, është publikuar një dezinformatë tjetër e radhës.

Në një artikull të publikuar më 19 janar 2024 thuhet se gjoja Brukseli ka një plan për dëbimin e serbëve të Kosovës që të mbesin më pak se një për qind dhe se më pas do të jenë shënjestër kishat dhe manastiret.

Lajmi i dhënë bazohet në një deklaratë të Nebojsha Çoviç, ish-udhëheqës i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, i cili ka mbajtur shumë funksione zyrtare, përfshirë edhe atë të deputetit. Aktualisht është kryetar i federatës së futbollit të “Crvena Zvezdes”, një klub futbollistik që kthehet në arenë të nacionalizmit serb dhe urrejtjes kundër fqinjëve.

Çka deklaroi Çoviç?

“Në kuadër të takimeve të këtij viti në Davos u organizuan edhe bisedimet për Kosovën. Perëndimi kolektiv është i mbushur me histori për stabilizim dhe normalizim, ndërkohë që gjithçka duket se e bën situatën sa më të paqëndrueshme dhe jonormale. Në këtë kuptim ka edhe vendim të Uashingtonit për shitjen e pajisjeve ushtarake në Kosovë. Me atë vendim, ShBA-të përkrahin drejtpërdrejt represionin dhe aparteidin dhe përfundimin e spastrimit etnik të serbëve nga Kosova. Të gjitha këto janë në përputhje me planin e Prishtinës, i cili po flitet në korridoret e Brukselit se në provincë mund të mbesin maksimumi një për qind e serbëve. Kur t’i shtosh kësaj gjithë kësaj çfarë po përgatitet për 1 shkurt në lidhje me transaksionet e pagesave, atëherë ke një pasqyrë të plotë të zbatimit të atij projekti, duke i reduktuar serbët në më pak se një për qind”, thotë Nebojsha Çoviq për RT Balkan.

Ky lajm është shpërndarë edhe në disa portale proruse në Serbi si, iskra.co.

Analiza:

Kjo është dezinformatë sepse sipas deklaratave zyrtare dhe jozyrtare në Bruksel nuk ka këso lloj plane për zmbrapsjen e serbëve nga Kosova. Përkundrazi, Brukseli pret nga Kosova që të ushtrojë rolin e saj në respektimin e të drejtave të pakicave, ndërsa Kosova ka Kushtetutën më të avancuar në këtë drejtim.

/ The Geopost