Islam Dudaev në ‘Paris 2024’, Shqipëria me dy mundës në Lojërat Olimpike

Islam Dudaev i është bashkuar Zelimkhan Abakarov si përfaqësues i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Mundësi çeçen i cili përfaqëson me sukses Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka triumfuar në kualifikueset që i jepte mundësinë të shkonte në Olimpiadë. Ai do të përfaqësojë Shqipërinë në peshën 65 kg në aktivitetin prestigjioz të kësaj vere.

Në ndeshjet e sotme, në fazën 1/16 Dudaev mundi 9-0 bjellorusin Niurgun Skriabin. Në 1/8 përballë ishte bjellorusi Adlan Askarov, të cilin e mundi me rezultatin 8-6. Në çerekfinale Dudaev mundi koreano-veriorin Kim, ndërsa në garën kualifikuese mundi ukrainasin Erik Arushanian 12-2.

Lojërat Olimpike të kësaj vere zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht dhe me formën që kanë treguar dy rusët e natyralizuar si shqiptarë, nuk përjashtohet një medalje ari në disiplinat përkatëse. Veç mundjes, edhe Luiza Gega në atletikë ka siguruar pjesëmarrjen.