Izraeli cakton fillimin e Ramazanit si afat për ofensivën në Rafah: Nëse pengjet nuk vijnë në shtëpi, luftimet vazhdojnë kudo

Ministri izraelit Benny Gantz, anëtar i kabinetit të luftës të Izraelit, paralajmëroi se Izraeli do të nisë një ofensivë kundër qytetit të Rafah nëse pengjet izraelitë të mbajtur në Gaza nuk lirohen deri kur të nisë Ramazani. Izraeli ka lënë si afat datën 10 mars dhe kjo është hera e parë që thotë se kur trupat e tij mund të hyjnë në qytetin jugor të mbipopulluar të Gazës.

“Bota duhet ta dijë dhe udhëheqësit. Hamasi duhet ta dijë, nëse pengjet nuk janë në shtëpi deri në Ramazan, luftimet do të vazhdojnë kudo. Dhe atyre që thonë se çmimi është shumë i lartë, unë u them qartë: Hamasi ka një zgjedhje. Ata mund të dorëzohen dhe të lirojnë pengjet”, tha ai.

Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në “mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile”.

Izraeli synon ta zgjerojë luftën tokësore deri brenda qytetit Rafah, ku janë strehuar mbi 1 milion palestinezë nga lufta. Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka filluar të bombardojë Rafahun, i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin.

Sipas kryeministrit Benjamin Netanyahu, Izraeli nuk mund ta arrijë synimin e vet për ta asgjësuar Hamasin përsa kohë pjesëtarët e tij qëndrojnë në Rafah.