KFOR-i për veriun: Situatë tejmase e rrezikshme

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka cilësuar tejmase të rrezikshme situatën që ka mbizotëruar të premten në veri të Kosovës, pas tensioneve që përcollën futjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet e Komunave.

Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.

Të premten në mesditë, mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale, një ditë pas betimit. Është nevojitur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale, që t’u mundësohet kryetarëve të hyjnë në objektet komunale. Situata është tensionuar dhe Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

“KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tejmase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë akterëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë. Prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në reagim të KFOR-it.