Ukraina vijon të avancojë në kundërofensivën ndaj ushtrisë së Rusisë. Në dy javë raportohet se mes luftimeve të ashpra janë çliruar të paktën 8 zona, përfshirë fshatra, në drejtim të Berdiansk dhe Melitopolit në lindje dhe jug të vendit. Rusia nga ana tjetër ka lëshuar një tjetër breshëri bombardimesh. Një sërë shpërthimesh janë dëgjuar në qytetin port të Odesës.
Mediat vendase raportuan se autoritetet ushtarake kanë aktivizuar mbrojtjen ajrore në të gjithë rajonin. Në mëngjes, administrata ushtarake rajonale e Odesës bëri të ditur se trupat ruse lëshuan katër raketa Kalibr nga Deti i Zi, të cilat u shkatërruan të gjitha në qiell nga forcat e mbrojtjes. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se luftimet më të ashpra janë në frontin jugor dhe vlerësoi forcat e Kievit për zmbrapsjen e sulmeve ruse në lindje. Gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Moskës se ka shkatërruar sistemet amerikane të mbrojtjes.
“Pavarësisht se çfarë thonë në Rusi se Patriotët tanë janë shkatërruar, ato sisteme vijojnë të jenë në fushëbetejë dhe në funksion si dhe vijojnë të rrëzojnë raketa rusë. Asnjë sistem i vetëm Patriot nuk është shkatërruar”, u shpreh presidenti ukrainas.
Zelensky shtoi se me liderët afrikanë bisedoi për paqe, teksa akuzoi homologun rus, Vladimir Putin se me ta diskutoi për luftë. Në Herson raportohet se 14 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike pasi Moska hodhi në erë digën dhe hidrocentralin Kakhovka përmes një eksplozivi të vendosur në një automjet Lada.
Organizata e Kombeve të Bashkuara akuzon Rusinë se po bllokon ndihmat humanitare për të prekurit nga përmbytjet masive pas shkatërrimit të digës. Nga ana tjetër, Moska akuzon ushtrinë ukrainase se po sulmon rajonet ruse pranë kufirit dhe se ka plagosur 7 persona në Belgorod. Ndërkohë, Kievi zyrtar thotë se raketat ruse që shënjestrojnë territorin ukrainas kanë një përbërje 81 për qind me pjesë të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.