Klinë: Gruaja vendos të largohet nga shtëpia e burrit, familjarët e tij e ndjekin me veturë dhe e sulmojnë

Një mosmarrëveshje mes dy familjeve përfundoi me sulm të hënën në mbrëmje në Klinë. Tre të rinj u arrestuan nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht tre persona e madje kanë shkaktuar edhe aksident. Të dyshuarit tashmë ndodhen në mbajtje dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se incidenti dyshohet se ndodhi pasi njëra nga viktimat, e cila është gruaja e një familjari të personave të dyshuar vendosi të largohej nga shtëpia e burrit, pasi ky i fundit ishte në burg.

Bazuar në informacionet e para, gruan kishte shkuar për ta marrë me taksi nëna e saj me një familjar, pasi ajo kishte vendosur mos të qëndronte më te familja e bashkëshortit edhe si pasojë e dhunës.

Viktimat u përballën me sulm teksa ishin rrugës duke u kthyer në shtëpi, kur tre të dyshuarit i ndoqën me veturë, duke shkaktuar aksident e më pas edhe i kanë sulmuar fizikisht.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se qëllimi i tyre ishte që ta kthenin viktimën sërish në shtëpi.

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, palët janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj tre të dyshuarve.