Klitschko pas intervistës së Putin-it: Po të ishin SHBA-të shtet i dobët, ai do e sulmonte edhe Alaskën

Intervista që bëri bujë e gazetarit amerikan, Tucker Carlson me presidentin rus, Vladimir Putin, është komentuar edhe nga ish kampioni i botës në boks, Wladimir Klitschko.

Ai, duke folur për intervistën e Putin, në gazetën gjermane Bild tha se Rusia do ta sulmonte Alaskën nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin mjaft të dobëta.

“E pashë intervistën. Putini dëshiron të marrë historinë dhe ta rishkruajë atë. Nëse SHBA-të do të ishin mjaft të dobëta, Putini do të dëshironte gjithashtu të sulmonte shtetin e Alaskës, dhe ai do të kishte një arsye për ta bërë këtë: Alaska dikur ishte pjesë e Rusisë. Ndoshta do të duhet të kthehet në Rusi”, tha Klitschko.

Ai po bënte referencë nga intervista e Putin-it, i cili për rreth 30 minuta bën një shpjegim historik se si Ukraina është shtet artificial dhe në fakt tokat e këtij shteti janë toka të Rusisë.

“Rusia e Putinit është e keqe. Nëse Ukraina bie, ne nuk do të jemi vendi i fundit që do të bëhemi viktimë e pushtimit rus”, paralajmëroi Klitschko.

Ai paralajmëroi edhe Gjermaninë, duke thënë se “shpesh harroni se Lindja e Gjermanisë ishte pjesë e Perandorisë Sovjetike”, duke aluduar në kohën pas përfundimit të luftës së dytë botërore.

Ish-boksieri theksoi se propaganda ruse është këmbëngulëse në gënjeshtra, gjë që mund të shihet në mediat e sponsorizuara nga shteti rus, jo vetëm në Rusi, por edhe jashtë saj.