Kontrollet nga policia/ Flet iranianja e Ashrafit: Ky është zotëria që sot ka humbur jetën

Gazetarja Flutura Tota ka ndjekur nga afër zhvillimet në kampin e MEK në Manzë. Tota ka marrë disa prononcime të banorëve të Ashrafit të cilët pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit.

“Ky është zotëria që sot ka humbur jetën. Në orën 9 ata kanë ardhur këtu, kanë sulmuar. Ne kishim disa herë kontrolle, jo në këtë mënyrë. Derën e kanë pasur hapur. Sot erdhën ndryshe. Si diktaturë. Ata thyen dyer. 50 persona janë plagosur. Kemi 10 vjet komunitet paqësor”, është shprehur për mikrofonin e RTSH një prej banoreve të Ashrafit.

Banorët kanë hedhur akuza se policia është e lidhur me kundërshtarët e tyre në Iran, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë që të reagojë lidhur me vendimin e marrë.

“Qeveria të flasë pse e ka marrë këtë vendim. Çfarë do ndodhë tjetër? Ne ikëm nga Irani, por kjo është e papranueshme nga Shqipëria”, tha një tjetër banore.