Kosova në NATO?! Brnabiç: Mos e votoni, është shpërblim për Prishtinën

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, u ka dërguar një letër krerëve të të gjithë delegacioneve të anëtarëve të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në të cilën theksohet se “dhënia e statusit të anëtarit të asociuar për Kosovën është një shpërblim për Prishtinën”.

Absurdi i Brnabiç shkon dhe më tej kur thekson se Kosova ushtron dhunë dhe diskriminim sistematik ndaj serbëve në Kosovë. Sipas Brnabiç, Prishtina zyrtare është edhe shkaktare e pengimit të dialogut të Brukselit.

Kosova do të jetë në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mblidhet në Sofje të Bullgarisë. Kuvendi i Kosovës synon ta ndryshojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asociuar të kësaj organizate. Asambleja Parlamentare e NATO-s ka bërë të ditur se deputetët e saj, mes tjerash, “do të vendosin për kërkesat e Maltës dhe të Kuvendit të Kosovës për t’u bërë delegacione të anëtarëve të asociuar”.