Krasniqi u shkruan liderëve partiakë për shpërndarje të Kuvendit, LDK-ja e refuzon

Kryetari i partisë më të madhe opozitare synon që më së largu të enjten të shpërndahet Kuvendi. Memli Krasniqi u ka shkruar liderëve partiakë për të ndërmarrë veprime konkrete të përbashkëta, në funksion të hapjes së mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme. Por, e ka marrë refuzimin e menjëhershëm të LDK-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u ka kërkuar tri partive të tjera parlamentare koordinim e veprime konkrete për ta shpërndarë Kuvendin, hap që imponon zgjedhje të parakohshme.

Krasniqi ka njoftuar se për këtë, të premten u ka shkruar kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku e të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkretë. Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari i PDK-së, u ka bërë thirrje për bashkëpunim liderëve të tri partive tjera, që javën tjetër të votohet për shpërndarjen e Kuvendit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

LDK-ja i është përgjigjur negativisht kërkesës së PDK-së.

“Përgjigjen dhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ia kemi kthyer tashmë ideatorit të vërtetë të kësaj nisme, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje z. Albin Kurtit”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Dhjetë ditë më parë, kryeministri Kurti ftoi në një darkë kryetarët e partive opozitare, për të diskutuar rreth agjendës legjislative. Atë e refuzuan kryetari i LDK-së dhe ai i AAK-së, ndërkaq kryetari i PDK-së i shkoi në takim, në të cilin paraqiti kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

PDK-ja është pajtuar me kushtin e Kurtit që në zgjedhje të shkohet nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, por LDK-ja kërkon dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa AAK-ja shkarkimin nëpërmjet mocionit të mosbesimit.