Kurti: Rruga Prizren-Tetovë dhe hekurudha që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën do të kontribuojnë në lidhjen e shqiptarëve

Kryeministri Albin Kurti sot në Prizren gjatë një takimi që pati me të rinjtë në këtë qytet ka folur pak për dy projekte të rëndësishme infrastrukturore, rrugën Prizren-Tetovë dhe hekurudhën që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën. Kreu i Qeverisë ka thënë se këto projekte  do të kontribuojnë në lidhjen e shqiptarëve, shkruan Reporteri.net.

“Rruga Prizren-Tetovë, hekurudha që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën janë dy prej projekteve në infrastrukturë që kemi filluar e që do të kontribuojnë si në lidhjen e shqiptarëve ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të Prizrenit”, tha sot kryeministri Kurti.

Por çfarë kishte thënë vitin e kaluar Kurti për rrugën Prizren-Tetovë

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti më 13 gusht të vitit 2023 gjatë vizitës që i kishte bërë Tetovës, kishte thënë se zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe nuk duhet të jetë i rezervuar vetëm për zonat urbane.

Kurti duke folur nga fshati Vicë i Tetovës, kishte promovuar idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re. Ai bëri me dije se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit.

“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjell Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, kishte deklaruar Kurti duke shtuar se si qeveri shprehin interesim që të ecin sa më shpejt për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës.

Kurse përmes një postimi në Facebook, Kurti kishte treguar se kostoja e këtij projekti të madh infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro.

“Të premten në Tetovë. Sot në Prizren. Rruga Prizren-Tetovë është kryetema. Në bazë të parallogaritjeve, kostoja e këtij projekti të madh infrastrukturor do të jetë rreth 200 milionë euro. Prej tyre afër 150 milionë euro janë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), e që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit. Ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që do të lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme sa për aktualitetin e qytetarëve, aq edhe për potencialin ekonomik e turistik”, kishte shkruar ai.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka thishte thënë se kjo rrugë që nëpër Prevallë e Glloboçicë është e gjatë 113 kilometra dhe tani i merr më shumë se dy orë e gjysmë udhëtim do të jetë më e shkurtër se 50 kilometra e do të përshkohet për dukshëm më pak se një orë.

Deklarimi i Kurtit për hekurudhën që do e lidhë Prizrenin me Gjakovën dhe Shkodrën bërë vitin e kaluar

Më 27 nëntor të vitit 2023, kryeministri Kurti në prag të festës së flamurit kombëtar, kishte marrë pjesë në Forumin e Zhvillimit Rajonal Kosovë, në komunën e Gjakovës, ku kishte folur për modelin e bashkëpunimit që duhet të ndjekë Shqipëria dhe Kosova.

Ai kishte folur edhe për rrugën hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe asaj Gjakovë-Shkodër, shkruan Reporteri.net.

“Krahas marrëveshjeve për përdorimin e harmonizuar të energjisë mes dy vendeve tona, marrëveshja tjetër madhore është ajo për lidhjen hekurudhore ndërmjet Prishtinës dhe Durrësit, të Durrësit me Prishtinën. Kështu, bashkohen energjitë edhe trenat, dy simbolet e industrializimit e të zhvillimit të botës moderne. Hekurudhat kanë qenë dhe mbeten sa kërkesë aq dhe kushti i zhvillimit industrial, duke qenë njëherësh, krahasuar me të tjerat, edhe qarkullimi më ekologjik i njerëzve, apo qarkullimi i gjelbër siç thuhet sot, lëndës së pare por edhe i produkteve apo mallrave masive të konsumit. Me degëzimet e veta, kjo linjë hekurudhore, lidh e bashkon jo vetëm dy vendet tona, por gjithashtu mundëson lidhjet me Malin e Zi, me Italinë, Adriatikun, Mesdheun, e më tej. Njësoj, edhe aksi apo rruga Prizren-Tetovë jo vetëm ringjall dhe vë në punë lidhjen e natyrshme mes këtyre dy qyteteve, por gjithashtu e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe sërish më tej”

“Ndërkaq, nga rruga Shkodër – Gjakovë ndërlidhen pandalshëm këto dy zona dhe lidhja e Shkodrës me Gjakovën padyshim se paraqet lidhjen më të rëndësishme që e bën edhe një lloj korrigjimi të një padrejtësie të madhe politike e ekonomike, të këtyre dy vendeve, por të zonave përreth, dhe do të thosha mbarë kombit shqiptar. Nuk ka lidhje më të rëndësishme për kombin shqiptar që është e nevojshme në aspektin infrastrukturor dhe ekonomik se sa në njërën anë thamë hekurudha Prishtinë – Durrës, mirëpo përbrenda kësaj e përtej kësaj ajo Gjakovë – Shkodër”, kishte deklaruar Kurti.