Kurti zbulon 3 “fytyrat” e Vuçiç: Ai kundër Kosovës është më i vërteti

Për Albin Kurtin, gjuha e përdorur nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe përqasja që ai ka ndaj Kosovës kur flet për mediat dhe popullin e tij, është diametralisht e kundërt nga ajo që përdor kur diskuton ndarazi me ndërkombëtarët.

I pyetur nga moderatorja Alba Alishani në emisionin “Debat” në A2 CNN, nëse Vuçiç është aq i ashpër dhe radikal siç e shohim në prononcimet e tij publike, edhe kur negocion me të në Bruksel, Kurti u përgjigj duke thënë: “Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çka ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takime ndarës me atë, duket se ata shohin një Vuçiç tjetër e andaj janë sjellur dhe më butë me të”.

Sipas shefit të qeverisë në Prishtinë, janë 3 versione të Vuçiç, të cilat dalin në pah në situata dhe raporte të ndryshme.

“Është e qartë se nuk ka veç një Vuçiç, një është kundër Kosovës, që është më i vërteti. Dhe janë dy të tjerë, një është për konsumin e brendshëm të popullsisë në Serbi dhe një tjetër për politikanët dhe diplomatët ndërkombëtar. Por kjo karshi Kosovës shprehet si publikisht si në takime, nuk mund të them se është e ndryshme.”