Libri ku për herë të parë përmenden shqiptarët..!

Vikingët hynë në histori në shekullin VIII dhe IX si kusarë detarë, duke terrorizuar Evropën nga Dublini në Konstantinopojë. Në shekujt në vijim ata u stacionuan në Evropën perëndimore dhe në Mesdhe duke krijuar njësi politike me tipar kolonizator.

Gjatë shekullit XI ata nuk reshtën me veset e këqija për të terrorizuar popuj të pafajshëm.
Në Perandorinë Bizantinë, zona më kritike në këtë kohë ndaj sulmeve të vikingëve u paraqit bregdeti i Ballkanit perëndimor, ku beteja kryesore u bë për Durrësin. Historia e vendit tonë në këtë periudhë u dokumentua nga Ana Komnena.

Ana Komnena (1083-1148) ishte historiane bizantine, bijë e perandorit Aleks Komneni dhe Irina Dukas që ishte me origjinë nga familje perandorake. Është autore e veprës “Aleksiasa”, ku përshkruan ngjarjet historike të viteve 1063-1118 dhe veprimtaritë e përsonaliteteve të Bizantit.

Vepra ka rëndësi për të dhënat që jep për Shqipërinë dhe trevat e saj. Sidomos në tregimet për luftërat normano-bizantine të shek XI. Vepra fillon me kryengritjen e strategëve të Durrësit (1077-1078) dhe vazhdon me ngjarjet e luftës normano-bizantine të viteve 1080-1108 që u zhvilluan kryesisht në trevat shqiptare.

Jepen me detaje aktiviteti dhe veprimtaria ushtarake e normanëve në bregdetin shqiptar. Ekspeditat e Robert Guiskardit dhe të birit Bohemundit, rrethimi i Vlorës nga ky i fundit (1081); pushtimi i Kaninës, Orikumit dhe Korfuzit. Orvatjet për pushtimin e Durrësit i cili mbrohej nga Gjergj Paleologu dhe Duka i Ilirisë Gjergj Monomakatas.

Këtyre u shtohen të dhëna për qytete e fshatra të Arbërit dhe banorët e tyre që përmended me emrat e tyre etnikë (kjo vepër konsiderohet si ndër të parët ku përmenden arbërit pra shqiptarët).

Luftimet e Durrësit
Roberti pra u vendos në Epir me 17 të muajit qershor, indikacioni i IV-të, me një numër shumë të madh forcash, kalorës dhe këmbësorë, të cilët, po t’i shikoje, do të tmerroheshe nga trajta dhe nga gjëndja strategjike e tyre, se nga të gjitha anët përsëri ishte mbledhur ushtri; në det prapë, me anije të shumta e të çdo lloji edhe me ushtarë të tjerë të provuar e të zotë në luftën detare, lundronte flota e tij.

Harta e ekspeditave normane në bregdetin arbëror
Brenda në Durrës, meqenëse u rrethuan nga të dy anët, si nga toka ashtu edhe nga deti, dhe në anën tjetër, meqënëse panë fuqitë e panumërta ë të pallogaritura të Robertit, u tremben së tepërmi.

Por Gjergj Paleologu burrë trim dhe i stërvitur në artin strategjik, njeri që kishte bërë shumë luftëra në lindje, dhe kudo kishte korrur fitore, i pa trembur fare, nisi të forconte qytetin, duke ngritur mbi muret pirgje sipas porosive të perandorit… i mbikqyrte punët ditë e natë dhe duke porositur rojet që të vëzhgonin.

Atëherë i shkroi dhe perandorit për të lajmëruar se Roberti sulmoi dhe se bëhej gati ta rrethonte qytetin e Durrësit.

Sulmi i dytë i normanëve
Lantulfi, kur e pa Boemundin duke lundruar në mënyrë kaq të frikshme në krye të një flote, siç e treguam më qartë e më sipër, me qenë se s’ishte i zoti të përballonte një fuqi të madhe, doli pak nga Vlora dhe ia la Boemundit sheshin të lirë. Atëherë ky, duke përfituar nga rrethana të favorshme, u hodh nga Bari në Vlorë dhe, gjithë ushtrinë e tij e nxori në tokë.

Beteja e Durrësit
Së pari plaçkiti gjithë bregdetin me një ushtri të panumërt të përbërë prej Frëngjësh, Keltësh dhe prej tyre të ishullit të Tulës, që shërbenin si ushtarë të Romejve dhe tani, të shtrënguar, ishin bashkuar me të, dhe sidomos pre Gjermanësh dhe Keltiberesh.

Si i mblodhi këta të gjithë i përhapi në të gjitha tokat e përfshira brënda Adriatikut dhe, si i plaçkiti të gjitha viset e afërta, sulmoi Epidamin që e quanin Durrës.