Lorik Cana: Më kërkoi Franca, por e refuzova! Ja pse zgjodha Shqipërinë

Lorik Cana ka dhënë një intervistë të gjatë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, teksa iu përgjigj pyetjeve të Mario Kalivas, autor, shkrimtar dhe poet i komunitetit arbëresh në Itali.

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare vjen në një rrëfim të veçantë në lidhje me rrugëtimin e tij në futboll, por edhe vështirësitë jo të pakta që ka kaluar. Ai gjithashtu mendon se Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar në Botëroret e ardhshme.

Si shkuat te PSG-ja? Në ato vite, ne që ishim me status refugjati nuk mund të dilnim nga Zvicra. Dy apo tri herë që kam dalë ishte ilegalisht me skuadrën e futbollit, sepse ishim azilantë. Pastaj më vonë m’u dha mundësia që të shkoj për një provë te PSG-ja, po ashtu mbaroi edhe lufta në Kosovë, ndërkohë që Zvicra i ktheu prindërit e mi në Kosovë, unë qëndrova 5 muaj në Francë.

Si është të luash në “Park de Prince”? Unë që i vogël kam qenë tifoz i Marsejës, pasi në ato zona ku isha në Zvicër, klubi më i madh ishte Marseja sepse në ato vite ishte fituese e Champions-it, një superskuadër. Pastaj kur erdhi Parisi, ishte një mundësi e madhe dhe një ëndërr e pastaj Parisi ka qenë vendi ku jam rritur dhe kam bërë ndeshjet e para, me lojtarë si Ronaldinjo në ekip.

Kur shkuat me Kombëtaren shqiptare, kishte thirrje nga kombëtarja franceze? Po, kisha thirrje nga Shpresa e Francës, në vitin 2002. Ishin të gatshëm që të më bënin nënshtetësinë dhe pasaportën për të luajtur për Francën. Po flasim për verën e 2002-shit. Atëherë nuk i kam dhënë një rëndësi shumë të madhe pasi kisha gjithmonë në kokën time se nëse do të bëhesha një futbollist profesionist, do të zgjidhja gjithmonë të luaja për Shqipërinë.

Si u ndiet kur shkuat për herë të parë në Kombëtare? Ajo është një krenari shumë e madhe, sidomos për ne që ishim nga Kosova. Shqipëria ka qenë gjithmonë ai vendi që nuk kemi pasur mundësi të shkojmë, që nuk e njohim mirë, por e dimë se aty janë vëllezërit tanë, që është pjesë e trupit tonë, ku duhet të kthehemi dhe të bëhemi bashkë. Për mua ishte një qëllim që të përfaqësoja atë flamur dhe futbolli na i bëri realitet. Ajo që kishte më rëndësi ishte jo që të luaj për Shqipërinë, por që të luaj për shqiptarët si shqiptar. Ju e dini shumë mirë që kur mbaroi l fta, gjysma e shqiptarëve ishim jashtë kufijve dhe ndjenja për atë flamur ka qenë ndonjëherë më e madhe për ne që kemi qenë jashtë Shqipërisë sesa ata që kanë qenë aty, sepse ne e kishim të ndaluar dhe futbolli na e ka mundësuar që të bëjmë diçka bashkë. Gjithashtu ishte një kënaqësi kur erdhi ftesa dhe ndeshja e parë patjetër e veçantë dhe me emocione të mëdha dhe nuk harrohet asnjëherë.